GazetaMax
Lajme

Kërcënimet për bomba janë bërë përditshmëri, a është shteti i paaftë të ndalojë këto “kërcënime”?

Shkup, 13 dhjetor – Viti 2022 karakterizohet për rajonin si vit i kërcënimeve të shpeshta e të shumta për bomba, edhe pse të gjitha deri më tani për fat të mirë ishin alarme të rrejshme.Alarmet e rrejshme për shpërthimin e bombave janë shtuar këtë vit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, posaçërisht në Maqedoninë e Veriut, Kosovë, Serbi, Mal të Zi, po ashtu alarme të tilla ka pasur edhe në Kroaci. Kjo nënkupton që cak i sulmeve të tilla është i përfshirë i tërë rajoni dhe jo vetëm një shtet, në këtë mënyrë kërcënohet siguria në këtë rajon. Në Maqedoninë e Veriut alarmet e tilla janë bërë pothuajse përditshmëri e zakonshme, që nuk ka javë që nuk dëgjohen alarme të tilla në lokacione të ndryshme, caqe kryesore qendrat tregtare, qendra e qytetit, shkolla, e vende të tjera që kryesisht janë të frekuentuara me qytetarë. Por, e gjithë kjo dramë pse nuk po përfundon a është paaftësia e shtetit në shprehje që të zbulohen këta akterë që përgatisin këto alarme të rrejshme, shkruan Zhurnal.

Alarme të rrejshme për bomba pothuajse çdo ditë në Maqedoninë e Veriut?

Cak i alarameve të rrejshme janë vendet më të frekuentura si shkollat, qendrat tregëtare, qendra e qytetit, e vende të tjera. Por, periudhën e fundit janë shpeshtuar dhe janë bërë shqetësuese për qytetarët, pasi ngjallin frikë dhe panikë.

Para dy ditësh në Maqedoninë e Veriut nga Ministria e Punëve të Jashtme kanë njoftuar se kanë pranuar denoncime për bombë përmes një e-mail. Nga MPJ thonë se është njoftuar policia, pas çka është evakuuar edhe objekti. Gjithashtu, po në të njëjtën ditë thuhet se në mëngjes denoncime kanë marrë edhe Qendra tregtare e Shkupit ‘GTC. Më 26 tetor për herë të parë, nëntë shkolla të mesme në qytetin e Shkupit përmes postave elektronike u alarmuan për vendosjen e bombave, megjithëse të gjitha rezultuan të rrejshme.

Pra, bëhet fjalë për alarme në vende të ndryshme që sipas MPB ata menjëherë mobilizohen dhe bëjnë të ditur se menjëherë pas njoftimeve për alarme për bomba nëpër objektet e shkollave, pjesëtarët e Njësitit për luftë kundër terrorizmit dhe ekstremizmit janë të parët që dalin në terren.

Por edhe pas pjesëmarrjes së tyre në terren asgjë nuk e parandalon ditën e nesërme janë kërcënimet e po së njëjtës natyrë, vetëm në ndonjë lokacion tjetër.

Nga vijnë këto alarme të rrejshme dhe cili është qëllimi tyre?

Hetimi është shumë i ndërlikuar, jo sepse marrin pjesë shumë departamente të MPB-së, por është kompleks sepse po i përcaktojmë IP adresat, thotë ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski për njoftimet për bomba në shkollat ​​e Shkupit, gjatë një paraqitjeje për TV 24.

“Ky është edhe qëllimi i kërcënimeve të tilla terroriste për të shkaktuar destabilizim dhe pasiguri në institucione. Ka disa veçori, të gjitha false, por secila duhet të trajtohet sipas protokollit. Dërgohen nga jashtë Kroacisë, Zvicrës, krijohen emaile virtuale. Të gjithë provajderët e internetit që mund të krijojnë një lidhje të tillë duhet të japin përgjigje dhe ne i përcjellim në departamentin për terrorizëm”, tha Spasovski.

Çfarë rreziku paraqesin këto alarme dhe a është paaftësia e shtetit për të identifikuar këto persona?

Alarmet për bomba të rrejshme paraqesin rrezik të veçantë për të gjithë qytetarët pa dallim, sepse secili prej tyre mund të jetë viktimë e ndonjë sulmi të vërtetë. Qytetarët janë dëshmitarë të sulmeve të ndryshme që ndodhin në kryeqendra botërore, pak më herët në Wien të Austrisë, e së fundmi në Turqi, pra flitet për raste dhe sulme terroriste që marrin një numër të madh viktima të pafajshme. Prandaj, kur dëgjohen alarme për shpërthime të bombave sado që të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me alarm të rrejshëm sërish, përsëri është ndjenja e frikës që mos ndoshta këtë herë kemi një shpërthim të vërtetë.

Organet përgjegjëse të shtetit nuk janë të afta të detektojnë se kush janë personat që po kurdisin këto alarme të rrejshme, dhe kjo paaftësie e organeve të shtetit krijon në mënyrë të drejtpërdrejt pasiguri te secili qytetarë.

Nga VMRO-DPMNE kërkojnë dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme. “Ekzistojnë alarme për bombe të cilat e paralizojnë sistemin. Dëshmojnë se sistemi nuk funksionon. Spasovski të japë dorëheqje për paaftësinë akute dhe paralizimin e sistemit”, tha Ivica Tomovski, VMRO-DPMNE. Nga MPB-ja thonë se pasi kanë bërë të gjitha kontrollet e nevojshme lidhur me alarmet për bomba, është konstatuar se bëhet fjalë për alarme të rrejshme

Në kohën që po zhvillohet lufta në Ukrainë, gjegjësisht gjenocidi rus në territorin e Ukrainës, pas një “pushimi” nga sulmet terroriste, i fundit në Turqi, krijohet domosdo ndjena e pasigurisë që pas shumë paralajmërimeve mund të ndodhë ndonjë sulm që mund të jetë me motive të ndryshme, nuk përjashtohet mundësia që ndonjë sulm eventual të jetë edhe shkas për destabilizim të rajonit. /Zhurnal.mk

Related posts

Micotakis përsërit mbështetjen për perspektivën në BE të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë

Gazetamax.mk

Kasami pranon donacion prej 5 inkubatorëve për spitalin e Tetovës

Gazetamax.mk

Publikohet raporti për COVID-19, kaq të infektuar

Gazetamax.mk