Prokuroria Themelore në Ferizaj ka kërkuar nga Gjykata Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj një personi me inicialet E.J., i dyshuar për sulm ndaj personit zyrtar.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, rasti ka ndodhur më 1 nëntor 2026, rreth orës 00:35, në ambientet e Shërbimit Emergjent Primar të QKMF-së në Ferizaj, në rrugën “Ramadan Rexhepi”, transmeton “Bota sot”.
I dyshuari dyshohet se kishte dërguar babanë e tij në këtë institucion për të marrë ndihmë mjekësore, pasi ai ishte në gjendje të dukshme të dehur. Në momentin kur personeli mjekësor po i ofronte trajtimin e nevojshëm, E.J. dyshohet se kishte ndërhyrë dhe kishte ushtruar presion ndaj stafit shëndetësor.
Për shkak të hapësirës së kufizuar dhe nevojës që trajtimi të zhvillohej pa pengesa, personelit mjekësor i ishte dashur t’i kërkonte të largohej nga dhoma. Megjithatë, sipas Prokurorisë, ai kishte refuzuar dhe më pas e kishte goditur me grusht mjekun kujdestar F.F. në pjesën e majtë të fytyrës.
Për këtë rast, Prokuroria e ngarkon të pandehurin me veprën penale “Sulmi ndaj personit zyrtar”, nga neni 402, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Në njoftimin zyrtar bëhet e ditur se i pandehuri E.J., që nga 1 nëntori 2026, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndodhet nën masën e ndalimit prej 48 orësh.
Prokuroria ka kërkuar caktimin e paraburgimit, ndërsa vendimi lidhur me këtë kërkesë i takon Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Burimi: botasot.info
