Një konflikt pronësie që ka zgjatur mbi tre dekada është kthyer në tragjedi këtë të hënë, kur gjyqtari i Apelit, Astrit Kalaja, u vra me armë zjarri brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit të Tiranës. Autori i krimit është 30-vjeçari Elvis Shkambi, i cili hapi zjarr ndaj gjyqtarit pas vendimit të dhënë në favor të palës tjetër në procesin për pronën e ish-Shkollës së Rezervave të Ndërtimit në Shkodër. Familjarët që kanë qenë në proces gjyqësor me familjen Shkëmbi kanë rrëfyer për mediat se vendimi i sotëm në Apel ishte i fundit pas një beteje të gjatë në gjykata.
Ata shprehen se Gjon Shkëmbi dhe nipi i tij, autori i vrasjes, i kanë kërcënuar disa herë me armë, duke tentuar t’i nxjerrin me dhunë nga banesat.
“Sot ka qenë gjyqi i fundit në Apel. Sot na kanë dhënë të drejtën. Gjyqi ka qenë për të gjithë ne, por nuk mundëm të shkonim në gjyq të gjithë. Sot ka qenë vetëm vendimi përfundimtar për 30 familje. Më vjen keq për gjyqtarin, do shkoj ta takoj familjen e tij. Ai vdiq për ne, që ne të mos dilnim jashtë sepse këtu na ka futur shteti. Këtë banesë ku po jetoj, ia kam blerë Gjon Shkëmbit në 1996. Ka 15 vite që jam në gjykata, ndërkohë që Gjon Shkëmbi ma ka shitur vete me dëshmitar, gjyqtari e ka kaluar në gjyqe. Jemi shqetësuar shumë për gjyqtarindhe i shprehim ngushëllime. Ka pasur mundësi të ishte edhe burri im aty sepse më datë 25 ka qënë ne gjyq. Sot nuk kishte mundësi të shkonte. Gjon Shkëmbi dhe familja e tij meritojnë burgim të perjetshëm. Është e vështirë të hysh me armë në seancë, ku është shteti. Ishalla Zoti e drejtësia shohin sepse Gjon Shkëmbi na del sapo të mbyllim sytë”, u shprehën banorët.