Kryetari i Komunës së Butelit, Darko Kostovski, ka bërë të ditur se në lagjen Shkup Veri po realizohen investime infrastrukturore që tejkalojnë vlerën prej 1 milion eurosh, duke theksuar se bëhet fjalë për një nga ciklet më të mëdha të investimeve në këtë pjesë të komunës.
Në një video prononcim, Kostovski ka informuar se sot kanë nisur punimet për asfaltimin e fazës së tretë të rrugës „Boro Menkov“, e cila është rruga më e madhe në lagjen Shkup Veri.
Kostovski gjithashtu ka përmendur se krahas këtij projekti, Komuna e Butelit ka përfunduar edhe rikonstruksionin e plotë të parkingut më të madh në këtë lagje, i cili për herë të parë është rregulluar tërësisht dhe është pajisur me sinjalistikë përkatëse.
Po ashtu, sipas Kostovskit, në këtë vendbanim janë ndërtuar mbi 60 shtigje për këmbësorë, ndërsa është bërë edhe rikonstruksioni i një pjese të rrugës „Kosturska“ dhe parkingut të vogël.
Kostovski theksoi se investimet në Shkup Veri janë pjesë e angazhimit të përgjithshëm të komunës për përmirësimin e infrastrukturës dhe kushteve të jetesës për të gjithë qytetarët.
Për angazhimin e komunës së Butelit, sipas kryetarit Kostovski, dëshmojnë projektet e realizuara deri më tani, e të cilat shtrihen në të gjitha vendbanimet e Komunës së Butelit, pa asnjë dallim apo ndasi, me synimin që çdo lagje dhe çdo qytetar të përfitojë nga investimet dhe zhvillimi i komunës.
