Komuna e Butelit ka filluar sot fazën e re të asfaltimit në lagjen Vizbeg, si pjesë e ofensivës së madhe ndërtimore që po zhvillohet me ritme të përshpejtuara në të gjithë territorin e komunës. Kryetari Darko Kostovski ka njoftuar se po realizohet asfaltimi i një segmenti të rëndësishëm i rrugës “Afrim Zhitia”, me gjatësi prej 300 metra dhe sipërfaqe të re me asfalt prej 1.800 metra katror.
Kjo rrugë po asfaltohet për herë të parë, duke shënuar fundin e një periudhe të gjatë neglizhence për banorët e kësaj lagjeje.
“Nuk ka më qytetarë të harruar. Po investojmë në çdo vendbanim, pa përjashtim,” ka theksuar kryetari Kostovski.
Punimet do të vijojnë edhe në vendbanimet tjera të përfshira në projektin e madh të rindërtimit të infrastrukturës, me qëllim zhvillimin e barabartë dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e Butelit.
Sipas Kosotovskit, dinamika e punimeve do të mbetet e lartë, ndërsa prioritet mbetet përmirësimi i kushteve të jetesës dhe modernizimi i infrastrukturës rrugore në të gjitha lagjet e komunës së Butelit.

