GazetaMax
LAJME

Kovaçevski: Duhet mbështetje reale dhe jo vetëm deklarative nga BE-ja

Shkup, 13 janar – Nuk jam person që ka ardhur në pozitë për të bindur dikë, por për të zbatuar qëllimet e përcaktuara strategjike. Deri në nëntor mund të bëhet shumë, por secili duhet të jetë i përgjegjshëm si në nivelin e detyrës ashtu edhe në detyrimin ndaj qytetarëve dhe shtetit. Nuk ka hapësirë për mbështetje deklarative për BE-në, theksoi sot kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai është përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për procesin e ndryshimeve kushtetuese, përpjekjet për zbatimin e tyre, duke qenë se vetë procesi zgjat rreth gjashtë muaj, ndërsa është kusht për hapjen e klasterëve me BE-në, që pritet deri në fund të vitit, pas përfundimit të skriningut bilateral.

“Unë nuk mendoj se gjashtë muaj është një periudhë e shkurtër, deri në nëntor ka 10 muaj, dhe nuk mendoj se është një periudhë e shkurtër, për 10 muaj mund të bëhen shumë gjëra pozitive. Natyrisht, secili duhet të jetë përgjegjës për të qenë në krye të detyrës dhe detyrimit ndaj qytetarëve dhe shtetit. Unë nuk jam një person që ka ardhur në pozitë për të bindur dikë, por për të zbatuar strategjinë dhe synimet që shteti ka vendosur 31 vjet më parë. Unë si politikan dhe si person dhe partia ime politike drejtohemi nga strategjitë dhe synimet e shtetit për anëtarësim të plotë në BE, ashtu siç jemi udhëhequr nga qëllimi që Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e NATO-s dhe u bëmë”, tha kryeministri sot pas aktivitetit në të cilin së bashku me drejtorin e ZZHTI-së Jovan Despotovski informuan për investimin e parë të ri në vitin 2023 dhe për rezultatet në zonat.

Kovaçevski theksoi se të njëjtat forca politike atëherë nuk e përkrahën anëtarësimin në NATO, siç tani nuk e mbështesin anëtarësimin në BE, por shprehi besimin se në vend ekzistojnë mjaft forca politike të cilat janë të orientuara drejt Evropës dhe që duan të u mundësojnë qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve të ardhmen evropiane të prosperuese dhe më të pasur në vendin e tyre të lindjes.

Lidhur me paralajmërimin se negociatat për ndryshimet kushtetuese do të intensifikohen, ai theksoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese ka një kornizë të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutën e shtetit dhe është një proces që kërkon përfshirje të ekspertëve dhe politikës, prandaj edhe bisedimet po zhvillohen në nivel politik, për arritjen e një konsensusi më të gjerë shoqëror dhe politik.

“Në këtë drejtim ka qenë edhe takimi i liderëve që kam thirrur deri në fund të vitit të kaluar për të parë qëndrimet e të gjitha partive politike. Këto ndryshime kushtetuese janë të nevojshme që shteti të mund të vazhdojë rrugën e tij evropiane drejt anëtarësimit të plotë në BE. Pra, nuk ka hapësirë për mbështetje deklarative të BE-së, siç mendon dikush se duhet të jetë, por tani duhet të kemi vërtet mbështetje politike për inkuadrim në BE, sepse ngecja e një procesi të tillë do të thotë që për herë të parë shteti vetvetiu do të ngecë”, theksoi Kovaçevski.

Lidhur me mundësinë e një takimi të ri liderësh, për momentin, tha se nuk është planifikuar, por nuk e përjashton një mundësi të tillë ku të mund të diskutohen edhe një herë çështjet më të rëndësishme, siç është ballafaqimi me krizën energjetike dhe ekonomike.

“Në takimin e fundit të liderëve nuk kemi diskutuar vetëm për ndryshimet kushtetuese, sepse në vend ka një sërë sfidash, në radhë të parë është kriza energjetike dhe ekonomike dhe aty kam informuar në detaje liderët e të gjitha partive parlamentare, përveç atyre dyve që nuk morën pjesë në atë takim se çfarë po bën shteti dhe cilat janë planet për krizën energjetike”, tha Kovaçevski.

Ai i është referuar edhe marrjes së kryesimit të OSBE-së.

“Ne jemi gjithashtu vend që kryeson me OSBE-në, ky është një detyrim jashtëzakonisht i madh, përgjegjësi, por edhe një mundësi për promovimin e Maqedonisë së Veriut si vend që udhëheq procesin e promovimit të paqes dhe sigurisë në Evropë dhe veçanërisht në kësi kushte gjeostrategjike kur po zhvillohet një luftë në territorin e Evropës. Kjo kërkon resurse, por edhe përfshirje të të gjitha kapaciteteve që ka shteti. Dje Osmani i prezantoi prioritetet e kryesimit tonë, në fillim të javës së ardhshme do të jetë në Ukrainë sepse është prioriteti kryesor i sigurisë dhe stabilitetit në Evropë. Edhe unë do të shkoj në fillim të muajit shkurt, ku do të kem takim me Zelenskin”, tha kryeministri Kovaçevski.

Related posts

Ekonomia dhe mbrojtja në fokus të dialogut strategjik me SHBA-në

e-max

Analizë/ Çiftet gjithnjë e më pak të interesuar për fëmijë, statistika katastrofale demografike

e-max

Ministri Shaqiri mori pjesë në ceremoninë e inaugurimit të rektorit të ri të UNT-së

e-max