GazetaMax
Lajme

Kovaçevski: FRONTEKS-i dhe marrëveshjet nga Ballkani i Hapur hapin rrugën e vendit drejt eurointegrimeve

Shkup, 14 shkurt – Kuvendi sot ratifikoi ligjet kyçe të cilat edhe më shumë do të hapin rrugën e vendit drejt integrimeve evropiane, publikoi sonte kryeministri Dimitar Kovaçevski në Fejsbuk.

“Me miratimin e Ligjit të propozuar për ratifikimin e Marrëveshjes për Fronteksin ratifikohet marrëveshja e parë që Maqedonia e Veriut e nënshkruan me Bashkimin Evropian në të cilën qëndron gjuha e pastër maqedonase, pa asnjë shtesë, bashkë me të gjitha gjuhët e tjera në BE. Ky është premtimi që unë dhashë dhe ky është premtimi që kam përmbushur. Rrumbullakohet edhe një kapitull tjetër i rëndësishëm në aspektin e mbrojtjes së kufijve tanë, sigurisë dhe stabilitetit të vendit”, thekson Kovaçevski në publikimin.

Kryeministri ka përshëndetur edhe ratifikimin e ligjeve nga Iniciativa “Ballkani i Hapur” nga ana e Kuvendit, që siç tha, qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë kanë mundësinë të punojnë në cilindo nga tre vendet pa leje pune dhe pa kurrfarë barriere.

“Përmirësojmë dhe ndryshojmë jetën e qytetarëve, të cilët prej nesh presin përgjegjësi dhe stabilitet në ndërmarrjen e hapave shtetëror”, shton kryeministri Kovaçevski në publikim.

Marrëveshja për FRONTEKS-in siç është e njohur u nënshkrua në prani të kryetares së Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, gjatë vizitës së saj zyrtare në vend. Në emër të BE-së nënshkrimin vendosën ambasadori i Republikës Çeke, Jarosllav Ludva, si përfaqësues i presidencës së atëhershme çeke të Këshillit të BE-së, dhe eurokomisarja për Punë të Brendshme, Ilva Johanson e cila ishte pjesë e delegacionit të Fon der Lajen, kurse nga pala jonë ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski.

Kryeministri Kovaçevski në vetë aktin e nënshkrimit deklaroi se Marrëveshja është nënshkruar në gjuhën maqedonase, pa fusnota, pa yje dhe pa shtesa.

Madje, marrëveshjet e nënshkruara në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” mundësojnë heqjen e lejeve të punës dhe tregun e lirë të punës për qytetarët e Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Shqipërisë. Me marrëveshjen për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës, ata lejohen të punojnë në cilindo nga tre vendet pa marrë leje pune, pa barriera, pa aplikime dhe pritje, pa kosto administrative. Marrëveshja për kushtet për ndërlidhjen e skemave të identifikimit elektronik, nga ana tjetër, parashikon qasjen në shërbimet elektronike të portaleve kombëtare të të tre vendeve përmes krijimit të identifikimit elektronik “Ballkani i hapur” për realizimin e mundësisë së qasjes në tregun e punës në ato vende.

Marrëveshjet u nënshkruan më 21 dhjetor 2021 në Tiranë nga liderët e tre vendeve të nismës “Ballkani i Hapur”, kryeministri i atëhershëm Zoran Zaev, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Related posts

ASHMAA: Në radio dhe televizione në vitin 2021 janë punësuar 2.449 persona

Gazetamax.mk

Xhaferi – Fajon: Qëllimi real është anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE deri në vitin 2030

Gazetamax.mk

Osmani takoi homologun estonez, Reinsallu

Gazetamax.mk