GazetaMax
Lajme

Kovaçevski kërkon marrëveshje për unitet kombëtar për BE-në dhe pret përgjegjësi nga të gjithë

Shkup, 7 nëntor – Anëtarësimi në BE është interes i lartë kombëtar dhe si i tillë duhet të trajtohet. Pres që në periudhën e ardhshme të jemi të gjithë në nivelin e detyrës, të japim gjithçka nga vetja dhe t’i prioritetizojmë gjërat sipas rendit dhe konceptit të duhur dhe të japim sa më shumë kontributin tonë. Alternativa jonë e vetme është BE-ja. Duhet të përfitojmë nga periudha e favorshme që e kemi para nesh, ta shfrytëzojmë mbështetjen që e marrim aktualisht dhe të sigurojmë për qytetarët, për gjeneratat e tanishme dhe të ardhshme një të ardhme evropiane dhe më të pasur, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski pas takimit të sotëm me kryetarët e partive parlamentare në Kuvend.

Kovaçevski tha se takimi në vetvete është pozitiv sepse të gjithë kryetarët e partive parlamentare kanë qenë të pranishëm, përveç dy, por megjithatë ende nuk ka konkluzione nga takimi. Në takim ai informoi për procesin e integrimeve evropiane, por edhe për situatën energjetike në vend, për ligjet në fushën e drejtësisë që duhet të miratohen, si dhe për Buxhetin për vitin 2023.

Kovaçevski ishte i vendosur se qytetarët duhet ta dinë se procesi i evropianizimit nuk është projekt i një partie politike të veçantë dhe se nga Kuvendi duhet të dërgohet mesazh se ky është projekt kombëtar, në të cilin duhet të kontribuojnë të gjithë, sepse bëhet fjalë për shtetin dhe për qytetarët.

“Para nesh ka shumë sfida, ndërsa atë që e theksova sot para kryetarëve të partive parlamentare është mbi të gjitha nevoja për funksionimin normal të Kuvendit, sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme për rrugën tonë evropiane. Është e nevojshme të përfshihen të gjitha partitë, të gjithë deputetët dhe të zhbllokohen proceset, në mënyrë që të kemi zgjidhje më efektive, veçanërisht për ligjet që kanë të bëjnë me gjyqësorin, të cilat janë të rëndësishme edhe për shtetin e së drejtës si postulat, janë të rëndësishme për rrugën tonë evropiane, por janë edhe më të rëndësishme për kthimin e besimit të qytetarëve në pushtetin gjyqësor”, theksoi Kovaçevski.

Duke folur për përgjegjësinë që kanë partitë në proces, ai thekson se Qeveria, por edhe LSDM-ja si parti në pushtet dhe shtetformues, janë të hapura për bashkëpunim për të gjitha zgjidhjet që do të kontribuojnë në arritjen e atyre qëllimeve. Gjithëpërfshirja dhe uniteti për çështjen e integrimit evropian është mëse i nevojshëm”, konsideron Kovaçevski.

Sipas tij, duhet treguar vullnet dhe kapacitet politik që të valorizohen të gjitha angazhimet dhe përpjekjet e deritanishme dhe sa më shpejt që të jetë e mundur të bëhemi anëtare e BE-së.

“Nuk është koha për përçarje, askush nuk përfiton nga kjo. Tani është momenti i duhur për të përfituar nga rasti dhe për të realizuar objektivin e vendosur me kapacitet të plotë. Prandaj përmenda se do të ishte e dobishme të krijohej një grup parlamentar reformat evropiane, i cili në bazë të raportit të Komisionit dhe shqyrtimeve do të siguronte që reformat të ndërlidhura me BE-në të mos bllokohen dhe negociatat të mos vonohen. Këshilli kombëtar për eurointegrime i kryesuar nga opozita duhet të jetë vendi i duhur për këtë”, tha ndër të tjera Kovaçevski.

Përkujtoi se më në fund pas 17 vitesh mund të themi me krenari se jemi vend që i ka nisur negociatat me BE-në. Ai shtoi se vendi ka bërë përparime të mëdha në pesë vitet e fundit dhe ka arritur të tregohet si një partner i denjë i NATO-s dhe BE-së.

“Një nga ato hapa ishte propozimi evropian që e morëm këtë verë, gjatë presidencës franceze. Koshient për të gjitha avantazhet dhe dobësitë e tij, ne e njohëm atë si një mundësi për të zhbllokuar procesin dhe për të ecur përpara. Ju vetë ishit dëshmitarë, e miratuam në Kuvend në një atmosferë të seancës së vështirë, tensioneve dhe mosbesimit”, tha Kovaçevski.

Pas takimit të liderëve, kryeministri shtoi se konkluzionet e arritura në Kuvend garantojnë fillimin e negociatave me BE-në dhe procesin e skriningut me gjuhë dhe identitet të garantuar dhe garanci se çështjet historike janë jashtë kornizës negociuese.

“Hapja e negociatave është sukses i madh për të gjithë ne. Procesi më në fund ka filluar dhe tani është e rëndësishme që të bëhet progres në reforma, për hir të qytetarëve dhe për hir të ndërtimit të institucioneve evropiane që do të punojnë sipas standardeve dhe parimeve evropiane. Nëpërmjet negociatave do të hapen më shumë fonde për ndërsa në afat të gjatë – qytetarët tanë do të kenë përfitim”, siguron Kovaçevski.

Ai gjithashtu tha se shteti ka marrë Raport pozitiv nga Komisioni Evropian, i pari pas hapjes së bisedimeve.

“Vlerësimi për gatishmërinë e përgjithshme të vendit për vitin 2022 është citoj ‘nivel i mirë i gatishmërisë’. Në rreth 90 për qind të sferave kemi gatishmëri të pjesshme ose të mirë”, deklaroi Kovaçevski pas takimit.

Sipas tij, hapja e bisedimeve është sukses i madh për të gjithë dhe është e rëndësishme që të përparohet në reforma, për shkak të qytetarëve dhe ndërtimin e institucioneve evropiane të cilat do të punojnë sipas standardeve dhe parimeve evropiane.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se me konferencën e parë ndërqeveritare me të cilën filluan bisedimet, me fillimin e skriningut dhe nënshkrimin e Marrëveshjes me Fronteksin në gjuhën maqedonase pa kurrfarë shtesash, yjesh dhe fusnotash kemi marrë konfirmim për angazhimet për të ardhme evropiane.

“Të gjithë kemi marrë konfirmimin se gjuha maqedonase është e mbrojtur dhe është në të njëjtin nivel me gjuhët e tjera në Evropë. Marrëveshja e Fronteksit është e para dhe e vetmja marrëveshje që është miratuar nga 27 vendet, marrëveshje që ne e kemi nënshkruar dhe në të cilën qëndrojnë emrat e të gjitha gjuhëve të BE-së. Kjo marrëveshje është bllokuar nga Bullgaria pikërisht për shkak të gjuhës maqedonase, por me fillimin e negociatave, BE-ja, sikurse ne, u tregua si partner i besueshëm që i përmbush premtimet e veta”, tha Kovaçevski.

Ai porositi se duhet të tregojmë pjekuri si shtet, duhet të tregojmë kapacitet demokratik dhe të mbetemi në rrugën evropiane përgjatë viteve para nesh. Kovaçevski theksoi se duhet të fillohet rrëfim i ri në të cilin Maqedonia e Veriut bëhet vend evropian, vend me ligj, rend, sistem, të ardhme, jetë më të mirë.

“Siç theksova në takim, LSDM-ja i është përkushtuar atij rrëfimi. Unë gjithashtu theksova se tani është jashtëzakonisht e rëndësishme që të vendosen prioritetet e duhura. Prioriteti i parë është ajo që është në interes të shtetit dhe të gjithë qytetarëve dhe që është vazhdimi në rrugën evropiane. Më pas vijojnë interesat e partive politike. Dhe ky është rendi dhe koncepti – interesi i shtetit është dhe do të jetë në radhë të parë dhe këtu nuk ka asnjë dilemë”, tha Kovaçevski.

Kryeministri shprehu kënaqësi që të gjithë kryetarët e partive parlamentare përveç dy prej tyre morën pjesë në takim.

“Ky takim në vetvete është pozitiv sepse të gjithë kryetarët e partive politike u ulën në një tryezë në Parlament për të diskutuar për këto çështje jashtëzakonisht të rëndësishme, përkatësisht për të ardhmen evropiane të shtetit dhe vendimet që duhet të merren në të ardhmen, por unë i informova për të gjithë ligjet që nuk janë miratuar dhe duhet të miratohen, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe korrupsionit, si dhe informova për të gjitha masat për strukturën e buxhetit për vitin 2023 dhe për përballimin e kësaj krize të madhe energjetike me të cilën po përballemi. Të gjitha partitë politike kanë shprehur qëndrimet e tyre, disa prej tyre janë të njohura për opinionin. Është e rëndësishme që u ulëm në një tryezë të përbashkët për të diskutuar për këto çështje nga të cilat varet e ardhmja e gjeneratave tona”, tha Kovaçevski.

Tha se nuk mund të thotë se si do të sillen partitë politike në lidhje me vendimet të cilat duhet të merren, ndërsa kanë të bëjnë me BE-në dhe ndryshimet kushtetuese, por beson se RMV do të gjejë forcë që të mund të vazhdojë në rrugën e saj evropiane ku e meritojnë të jenë qytetarët.

Në takimin mori pjesë edhe kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi dhe liderët e BDI-së, Ali Ahmeti, të RDM-së, Maja Moraçanin, të VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, të Alternativës, Afrim Gashi, të Lidhjes Demokratike, Pavle Tajanov, të PDSH-së, Menduh Thaçi, të Aleancës për Shqiptarët, Arben Taravari, të VMRO-PP, Lupço Ballkovski, të Partisë Demokratike të Serbëve në Maqedoni, Ivan Stoiljkoviq, të PRSD, Goran Misovski, të GROM-it, Stevçe Jakimovski, të Partisë Socialiste, Ljupço Dievski, të PLD-së, Monika Zajkova, të Partisë së Pensionistëve, Ilija Mnikollovski… Nuk morën pjesë liderët e Së Majtës, Dimitar Apasiev dhe të Lëvizjes BESA, Bilall Kasami. 

Related posts

Pensionet për muajin dhjetor do të paguhen nga data 27

Gazetamax.mk

Edhe në Maqedoni më së shumti vota fitoi Bojko Borisov

Gazetamax.mk

Takim i Xhaferit me presidenten hungareze Novak

Gazetamax.mk