GazetaMax
Lajme

Kovaçevski-Larson Jain: I forcojmë marrëdhëniet dypalëshe midis Maqedonisë së Veriut dhe Suedisë

Shkup, 21 nëntor – Vazhdimi dhe përmirësimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, veçanërisht gjatë presidencës suedeze të Bashkimit Evropian vitin e ardhshëm dhe pritshmëria për të marrë mbështetje të fuqishme nga Mbretëria e Suedisë në proceset integruese evropiane, ishin në fokus të bisedimeve në takimin e sotëm të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe ambasadores së re suedeze në vend, Ami Larson Jain.

Siç kumtoi pres-shërbimi qeveritar, kryeministri i uroi asaj një mision të suksesshëm, por shprehu edhe kënaqësinë për bashkëpunimin e shkëlqyer dypalësh të deritanishëm mes dy vendeve, si dhe për lidhjet e forcuara politike dhe miqësore.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është e fokusuar në prosperitet dhe kjo mund të arrihet vetëm me marrëdhënie të mira fqinjësore dhe të ardhme evropiane.

Në takim, ambasadorja Larson Jain shprehu përgëzime për negociatat e nisura të Republikës së Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe theksoi se vendi ka ekipe të përgatitura që udhëheqin procesin e skriningut.

“Gjatë bisedës u shpreh mirënjohje për mbështetjen suedeze për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së mjedisit, të cilat janë gjithashtu pjesë e procesit të skriningut. Gjithashtu u theksua se Republika e Maqedonisë së Veriut, si anëtare e Aleancës së NATO-s, mbështet anëtarësimin e Suedisë në NATO”, theksohet në kumtesë.

Në maj, Qeveria jonë miratoi anëtarësimin e Republikës së Finlandës dhe Mbretërisë së Suedisë në NATO. Anëtarësimi i Suedisë dhe Finlandës në NATO është një kontribut për forcimin e sigurisë dhe stabilitetit në Evropë, veçanërisht në kontekstin e agresionit ushtarak rus kundër Ukrainës, i cili ka çuar në ndryshime në politikën evropiane të sigurisë. Më 22 gusht, Maqedonia e Veriut depozitoi në Departamentin Amerikan të Shtetit instrumentin e ratifikimit të Protokollit të NATO-s për anëtarësimin e Suedisë dhe Finlandës.

Related posts

Shkatërrohet grupi kriminel, kontrabandonin emigrantë, në pranga nëntë persona

Gazetamax.mk

Mjegull në rrugën Tetovë-Grupçin

Gazetamax.mk

Taravari: ASH nuk do votojë për ndryshime nëse “20%” mbetet në Kushtetutë

Gazetamax.mk