GazetaMax
Lajme

“Krijimi i shpresës përmes veprimit” – Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve

Shkup, 10 shtator – Çdo vit më 10 shtator shënohet Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve që ka për qëllim ta rrisë vetëdijen se vetëvrasja mund të parandalohet. “Krijimi i shpresës përmes verprimit” është tema trevjeçare për Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve nga viti 2021 deri në vitin 2023, si përkujtues se shpresa ekziston dhe ka për qëllim, siç thonë nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) “të inspirojë mirësi dhe dritë”.

“Duke krijuar shpresë përmes veprimit, ne mund t’u sinjalizojmë njerëzve që kanë mendime vetëvrasëse se ka shpresë dhe se ne kujdesemi dhe duam t’i mbështesim ata. Gjithashtu sugjeron që veprimet tona, pavarësisht sa të mëdha apo të vogla, mund t’u japin shpresë atyre që janë në vështirësi. Së fundi, thekson rëndësinë e bërjes së parandalimit të vetëvrasjes një agjendë prioritare të shëndetit publik për vendet, veçanërisht ku qasja në shërbimet e shëndetit mendor dhe disponueshmëria e ndërhyrjeve të bazuara në prova janë tashmë të ulëta. Duke u bazuar në këtë temë dhe duke përhapur këtë mesazh gjatë tre viteve, mund të imagjinohet një botë ku vetëvrasjet nuk janë aq të përhapura”, thonë nga OBSH.

Nga OBSH vlerësuan se secili ka rol të rëndësishëm në mbështetjen e atyre të cilët përballen me krizën e vetëvrasjes, pa dallim nëse si pjesë e shoqërisë, si prind, mik, koleg ose si personalitet me përvojë të përjetuar. Secili prej nesh mund të nxisë mirëkuptim për problemin dhe të prekë njerëzit të cilët luftojnë.

“Vlerësohet se rreth 700.000 njerëz në vit bëjnë vetëvrasje në mbarë botën. Për secilën vetëvrasje, sipas gjitha gjasave ka edhe 20 persona të tjerë të cilët bëjnë tentim për vetëvrasje, ndërsa shumë më shumë kanë mendime serioze për vetëvrasjen. Miliona njerëz vuajnë nga dhimbja intensive ose në mënyrë tjetër janë thellë të prekur nga sjelljet vetëvrasëse”, thonë nga OBSH.

Si problem kryesor theksohet stigma, veçanërisht çrregullimet mentale dhe vetëvrasja e cila qon në atë që ata të mendojnë të bëjnë vetëvrasje ose kanë bërë përpjekje të bëjnë vetëvrasje nuk kërkojnë ndihmë dhe për këtë nuk e marrin ndihmën e nevojshme.

Parandalimi i vetëvrasjeve nuk trajtohet në mënyrë adekuate për shkak të mungesës së ndërgjegjësimit për vetëvrasjen si një problem madhor i shëndetit publik dhe një temë tabu në shumë shoqëri, gjë që pengon diskutimet e hapura rreth saj.

Dita Botërore e Parandalimit të Vetëvrasjeve ka filluar të shënohet në vitin 2003 nga Shoqata Ndërkombëtare për Parandalimin e Vetëvrasjeve në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, me qëllim uljen e stigmës dhe ndërgjegjësimin për këtë problem të rëndësishëm social.

Roli i mediave – “Të parandalojmë, e jo të informojmë”

Në Ditën Botërore të Parandalimit të Vetëvrasjeve është me rëndësi të kujtohemi edhe se për vetëvrasje nuk informohet.

Sipas hulumtimeve dhe qëndrimit të ekspertëve raportimi për vetëvrasjet ndikon negativisht ndaj njerëzve të cilët janë të ndjeshëm dhe në rrezik.

Pas ngjarjeve të fundit me raportime joetike nga media të caktuara, Këshilli për Etikë në Media të Maqedonisë apeloi që duke pasur parasysh ndjeshmërinë e temës, në shkrimet e tyre edhe mediat duhet të përfshihen në procesin e edukimit të publikut dhe parandalimit, e jo duke shkelur në vijën e sensacionalizmit.

Nëse mediat vlerësojnë se bëhet fjalë për interes publik, duhet të verifikojnë informacionin, por në asnjë rast nuk duhet t’u referohen burimeve jozyrtare dhe të spekulojnë për arsyet e mundshme

– Informacioni duhet jo vetëm të kontrollohet seriozisht, por edhe të përpunohet, me fokus në analizimin e pasqyrës së gjerë, e jo në rastin konkret dhe/ose shpjegimin e detajeve”, thonë nga Këshilli i Etikës.

Related posts

Zjarri në Strugë po vihet nën kontrollë, nuk ka rezik për vikend shtëpitë

Gazetamax.mk

Rritet lista e honorarëve të Besmira Ejupit

Gazetamax.mk

Mot me diell ndërsa pasdite shi i shkurtër i rrëmbyeshëm

Gazetamax.mk