GazetaMax
Lajme

Kristian Malocaj gati për spektakël në ring, më 31 janar 2026 synon kalimin në TOP 8 të Enfusion

Kickboksieri shqiptar Kristian Malocaj po hyn në vitin 2026 me një sfidë madhore dhe ambicie të qarta. Ai do të ngjitet në ring më 31 janar 2026, në eventin prestigjioz Ringfight Promotions (RFP), të organizuar në Saza Topsporthal, Doetinchem, ku do të luftojë për vendin e tij në “Wildcard – Last 8” të Enfusion.

Eventi, i cili konsiderohet një ndër skenat më të forta evropiane për sportet e kontaktit, pritet të sjellë duele të ashpra mes emrave të njohur të disiplinës. Por vëmendja e publikut shqiptar dhe holandez është e përqendruar te Malocaj, i cili prej kohësh është shndërruar në një prej luftëtarëve më të respektuar për stilin agresiv dhe disiplinën e hekurt në përgatitje.

Me një formë të shkëlqyer fizike dhe mentalitet të pathyeshëm, Malocaj synon jo vetëm fitoren, por edhe përfaqësimin me dinjitet të komunitetit shqiptar në arenën ndërkombëtare.

Ky duel jo vetëm mund ta çojë një hap më afër majës së Enfusion, por edhe ta afirmojë si një prej kickboksierëve më të rrezikshëm në kategorinë e tij.

Organizatorët e RFP kanë paralajmëruar një natë spektakolare, ku Malocaj pritet të jetë një nga kryepersonazhet e eventit. Me fansat që veçmë po mobilizohen për të qenë të pranishëm, atmosfera premton mbështetje të fuqishme për luftëtarin shqiptar.