GazetaMax
Lajme

Kriza energjetike-ekonomike e la nën hije të shumëpriturën “dritë jeshile” nga Brukseli

Shkup, 2 janar – Pas 17 vitesh në dhomën e pritjes së BE-së, vitin e kaluar Këshilli Evropian më në fund mori vendim për fillimin e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në Bashkimin, por mbi këto lajme të mira për vendin, hodhi hijen që në radhë të parë kriza energjetike dhe ekonomike e shkaktuar nga agresioni rus kundër Ukrainës, që rezultoi në normën e parë dyshifrore të inflacionit pas më shumë se dy dekadave, rritje të çmimeve të produkteve themelore ushqimore dhe pasiguri rreth furnizimet me energjensa.

Përveç kësaj, vendi u bë me qeveri të re të kryesuar nga një kryeministri i ri, por u ndez edhe debati rreth kërkesës së opozitës për zgjedhje të parakohshme, u rritën tensionet në marrëdhëniet me Bullgarinë, ndërsa u hasëm edhe në shënjestër të sulmeve hibride të manifestuara në formë të denoncimeve të rrejshme për bomba të vendosura nëpër shkolla, autobusë, institucioneve shtetërore, qendrave tregtare, objekteve sportive…

Janar

Viti filloi me zgjedhjen e Qeverisë së re, të kryesuar nga lideri i LSDM-së, Dimitar Kovaçevski, i cili në këtë pozitë erdhi pas dorëheqjes së paraardhësit të tij Zoran Zaev, si rezultat i rezultateve të dobëta zgjedhore të partisë në zgjedhjet lokale të vitit 2021. Nga Qeveria e re u larguan tetë anëtarë të kabinetit të kaluar qeveritar dhe në të ishin 11 anëtarë nga LSDM, gjashtë nga BDI-ja, tre nga Alternativa dhe një nga PLD-ja. “Për” zgjedhjen e Qeverisë së re votuan 62 deputetë, ndërsa 46 ishin “kundër”.

Një nga aktivitetet e para të qeverisë së re ishte “ngrohja” e marrëdhënieve me Bullgarinë, të cilat u përkeqësuan pas vendimit të Sofjes për të bllokuar rrugën evropiane të vendit. Për këtë qëllim, menjëherë pas zgjedhjes së Qeverisë, në Shkup mbërriti kryeministri bullgar Kirill Petkov, e më pas në Sofje u mbajt seanca e përbashkët e dy qeverive, në të cilën, në një atmosferë të vullnetit të shprehur politik dhe frymës së sinqeritetit dhe çiltërsisë, u hodhën bazat për përparimin e shpejtë të marrëdhënieve të ndërsjella në të ardhmen dhe u tentua përmes marrëveshjeve specifike të forcohet bashkëpunimi mes dy vendeve dhe të kontribuohet në gjetjen e kompromisit për çështjet kontestuese.

Ndërtimit të atyre marrëdhënieve të reja dhe avancimit të bashkëpunimit të përgjithshëm ndërmjet dy vendeve, iu bashkua edhe MIA, e cila hapi qendrën e saj për media në Sofje, në hapjen e së cilës morën pjesë kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov.

Shkurt

Muaji i dytë i vitit solli agresionin rus kundër Ukrainës, pasojat e të cilit u ndjenë nga e gjithë bota në periudhën e ardhshme të vitit. Menjëherë pas fillimit të agresionit, presidenti Stevo Pendarovski thirri seancë urgjente të Këshillit të Sigurimit, temë e së cilës ishte gjendja e sigurisë në vend dhe në rajon. Në seancë u dënuan veprimet ushtarake të Rusisë dhe u vlerësua se gjendja e sigurisë në vend është e qëndrueshme, ndërsa institucionet kompetente u obliguan të ndjekin situatat dhe të përgatisin skenarët e mundshëm në përputhje me zhvillimin e ngjarjeve, me qëllim të veprimit me kohë, veçanërisht në pjesën e rezervave të mallrave dhe furnizimin me energjensa. Janë ndërmarrë masa për evakuimin e qytetarëve të Maqedonisë që ndodhen në Ukrainë, si dhe të punonjësve të ambasadës sonë në Kiev.

Maqedonia e Veriut, si anëtare e barabartë e NATO-s, ishte në koordinim të rregullt me aleatët për aktivitetet e ndërmarra në lidhje me agresionin, ndërsa iu bashkua pakos së masave restriktive të vendosura nga BE-ja ndaj Moskës.

Paralelisht me këtë vazhduan përpjekjet për zhbllokimin e integrimit evropian të vendit.

Në planin socio-ekonomik, Kuvendi njëzëri me 101 vota “për” pranoi propozimin e Qeverisë për miratimin e ndryshimeve në Ligjin për pagën minimale me procedurë të shkurtuar, me të cilat u përcaktua paga minimale prej 18.000 dhe metodologji e re për harmonizimin e saj në përputhje me atë që është kontraktuar ndërmjet partnerëve socialë.

Mars

Në muajin mars, është zbatuar Regjistrimi i popullsisë pas dy dekadash, i cili tregoi se popullsia e përgjithshme rezidente në vend është 1,836,713 banorë, prej të cilëve 58,44 për qind janë maqedonas, 24,3 shqiptarë, 3,86 turq, 2,53 romë, 0,47 vllahë, 1,3 serbë dhe 1,3 për qind boshnjakë. Numri i përgjithshëm i popullsisë së regjistruar ishte 2.097.319 persona, nga të cilët 260.606 ishin jorezidentë. Regjistrimi tregoi se në krahasim me vitin 2002, popullsia e përgjithshme në vend është ulur për 185.834 persona ose për 9.2 për qind. Pushteti dhe institucionet kompetente për regjistrim e vlerësuan regjistrimin si të suksesshëm dhe të zbatuar në mënyrë profesionale, sipas metodologjisë evropiane.

Maqedonia e Veriut festoi dyvjetorin e anëtarësimit në NATO, më 27 mars të vitit 2020, ditën kur në rrethana të jashtëzakonshme për shkak të pandemisë së Kovidit-19, u.d. ambasadore e vendit në SHBA Villma Petkovska në Uashington ia dorëzoi dokumentin origjinal për ratifikimin e Protokollit të Prespës për anëtarësim ndihmës sekretarit amerikan të shtetit për Evropë dhe Euroazi, Filip Riker. Tre ditë më vonë, flamuri maqedonas u ngrit para selisë së NATO-s në Bruksel me intonimin e himnit kombëtar, në ceremoni që shënon aderimin zyrtar të vendit në Aleancën.

Agresioni rus kundër Ukrainës dhe vendimi i Moskës për të ndërprerë shpërndarjen e gazit në Evropë, si masë reciproke ndaj sanksioneve të BE-së, ndikuan negativisht në ekonominë dhe standardin jetësor të qytetarëve.

Prill

Qeveria shënoi njëqind ditë nga formimi i saj, që kaloi në kushte të krizës shëndetësore, energjetike, ekonomike dhe të luftës dhe qëllimi i saj kryesor, siç theksoi kryeministri Kovaçevski, ishte mbrojtja e standardit jetësor të qytetarëve, ruajtja e likuiditetit. të kompanive, sigurimi i rritjes së qëndrueshme ekonomike, pagesës së papenguar të të gjitha detyrimeve buxhetore, të ardhura dhe investime të rritura.

Në Shkup mbërriti komisionari evropian për Zgjerimin dhe Politikën e Fqinjësisë, Oliver Varhei, duke dërguar mesazh të qartë se BE-ja pret që çështja e fillimit të bisedimeve të vendit me Bashkimin të zgjidhet deri në fund të presidencës franceze në qershor, dhe prandaj nuk ka kohë për të humbur dhe procesi duhet të përshpejtohet. Nga MPJ-ja mbërritën paralajmërime se “ekziston dokument si bazë për zgjidhje gjithëpërfshirëse të të gjitha dallimeve që i kemi me Bullgarinë”, që është i pranueshëm nga pala maqedonase, por ende nuk kishte përgjigje nëse ai është edhe i pranueshëm edhe për Sofjen.

Për shkak të dyshimeve se ka keqpërdorur pozitën zyrtare, sekretari i përgjithshëm i Qeverisë Muhamed Zeqiri ka dorëzuar dorëheqjen e parevokueshme, pas së cilës gjykatësi pas procedurës paraprake, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike, i ka caktuar masën e paraburgimit në

kohëzgjatje prej 30 ditëve. Zeqiri dyshohet se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, duke përfituar nga pozita e tij zyrtare, pa zbatuar procedurë përkatëse për furnizim publik, ka lidhur kontratë për shërbime konsulence me person juridik, duke përfituar dobi pasurore të kundërligjshme me vlerë të përgjithshme prej 57.932.100 ,00 denarë në dëm të Buxhetit të shtetit.

Maj

Më 9 maj, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike, i kryesuar nga Patriarku Bartolomeu, vendosi të eliminojë përçarjen disadekadëshe të imponuar ndaj Arkipeshkvisë sonë të lashtë të Ohrit, të ripërtërirë përballë KOM-it, duke njohur hierarkinë kishtare të kryesuar nga Kryepeshkopi Stefan si kanunore dhe të vlefshme në botën pan-ortodokse dhe duke vendosur bashkimit kanonik dhe liturgjik me të.

Në të njëjtën kohë, Shkupi dhe Sofja vazhduan bisedimet për gjetjen e zgjidhjes për çështjet kontestuese me qëllim të zhbllokimit të integrimit evropian të vendit, derisa nga Parisi u dërgua porosia se në rast të marrëveshjes mes dy vendeve, Franca është e gatshme “të organizojë konferenca ndërqeveritare të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, sa më shpejt të jetë e mundur gjatë presidencës së saj me Këshillin e Bashkimit Evropian”. Në Shkup mbërriti delegacion qeveritar bullgar, por nga Sofja nuk mbërrinin sinjale për ndryshim qëndrimi dhe për heqjen e vetos dhe hapjen e bisedimeve për anëtarësimin e vendit në BE. Nga Qeveria jonë porositën se duan fillim të bisedimeve me BE-në, por jo me çdo kusht dhe në dëm të interesave të shtetit gjatë zgjidhjes së kontestit me Bullgarinë.

Komisioni Evropian nga mesi i muajit, caktoi për herë të parë afat kohor për fillimin e bisedimeve. Komisionari Evropian Didie Rejnders para Parlamentit Evropian bëri thirrje që bisedimet me Maqedoninë e Veriut, si dhe me Shqipërinë, të fillojnë para përfundimit të presidencës franceze të BE-së më 30 qershor.

Në planin e brendshëm, në fillim të muajit, Komiteti Ekzekutiv i VMRO-DPMNE-së mori vendim për “bllokim aktiv të Kuvendit, që do të zgjasë në vazhdimësi deri në ndryshimin e pushtetit, gjegjësisht deri në marrëveshjen për datën e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare”, pasi që Qeveria refuzoi kërkesën e liderit të partisë Hristijan Mickoski për thirrjen e takimit të liderëve në të cilin do të dakordohej mbajtja e zgjedhjeve të parakohshme.

Qershor

Në prag të Samitit të fundit të BE-së nën presidencën e saj, Franca doli me draft version të propozimit për të zhbllokuar rrugën evropiane të vendit. Ky “propozim francez” u mbështet nga Parlamenti bullgar, i cili i dha dritën jeshile Qeverisë në Sofje “të miratojë kornizën e bisedimeve dhe konkluzionet e propozuara nga Presidenca franceze e Këshillit të BE-së për zgjidhjen e marrëdhënieve të ndërlikuara mes Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, nëse plotësohen disa kushte”.

Në fund të muajit, Parisi dorëzoi version të rishikuar të “propozimit francez”, pas çka kryeministri Kovaçevski deklaroi se në të janë marrë parasysh qëndrimet dhe kërkesat tona dhe paralajmëroi proces të gjerë konsultimi “me koalicionin qeveritar, me presidentin e shtetit, me Parlamentin dhe me opozitën, si dhe me sektorin civil, ekspertët dhe publikun e gjerë në vend”, pas çka do të merret vendim lidhur me propozimin. Kreu i diplomacisë Bujar Osmani tha se është propozim përfundimtar i presidencës franceze, i cili “i adreson vërejtjet që kemi bërë në lidhje me versionin punues që është shpërndarë në vendet anëtare të BE-së, por megjithatë duhet të shqyrtohet e gjithë pakoja dhe të gjitha qëndrimet dhe më pas të njoftohet zyrtarisht Parisi për hapat radhës”.

Në planin rajonal, në Ohër u mbajt samiti i nismës “Ballkani i Hapur”, në të cilin Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Serbia konfirmuan përkushtimin për kufij të hapur, qarkullimin e lirë të mallrave, kapitalit dhe fuqisë punëtore, me vlerësimin se bashkëpunimi dhe mbështetja e ndërsjellë tashmë japin rezultate. Nga Samiti u dërgua porosia se nisma “Ballkani i Hapur” përmirëson jetën e qytetarëve në të gjitha fushat dhe është krijuar për bashkëpunim më të madh rajonal dhe zhvillim ekonomik të vendeve anëtare, por nuk paraqet zëvendësim për BE-në.

Korrik

Pasi Qeveria, me mbështetjen e Kuvendit, pranoi “propozimin francez” të rishikuar dhe u nënshkrua Protokolli dypalësh mes Shkupit dhe Sofjes për zbatimin e Marrëveshjes për fqinjësi të mirë, u mbajt Konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, më 19 korrik në Bruksel, që shënoi fillimin zyrtar të procesit të bisedimeve të vendit për anëtarësim në Bashkimin. Në Konferencën Ndërqeveritare mori pjesë delegacioni qeveritar i kryesuar nga kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili e lexoi fjalën hyrëse në gjuhën maqedonase. Me ndryshimet në Kushtetutë, në pjesën ku renditen “populli shqiptar, populli turk, populli vllah, populli serb, populli rom, populli boshnjak…”, do të duhet të shtohen edhe qytetarët që janë pjesë e popujve të tjerë, siç është populli bullgar.

VMRO-DPMNE paralajmëroi iniciativë për mbledhjen e 150.000 nënshkrimeve për deklarim në referendum të qytetarëve për Protokollin me Bullgarinë, ndërsa kryetari i partisë Hristijan Mickoski njoftoi se deputetët e partisë së tij nënshkruan deklaratë të noterizuar me të cilën konfirmojnë se nuk do të votojnë për ndryshimet kushtetuese. Në polemikat rreth referendumit u përfshi edhe presidenti Stevo Pendarovski, i cili sugjeroi se nëse mbahet deklarimi në referendum që e paralajmëroi opozita, atëherë pyetja të jetë “A dëshironi të shkoni në BE me këto kushte”, ndërsa kryeministri Kovaçevski konsideroi se çështja e referendumit është për përdorim brendapartiak të VMRO-DPMNE-së.

Në korrik, vendi mbeti në zonën e verdhë të pandemisë Kovid-19 dhe u regjistrua rritje e lehtë e infeksioneve të reja, por autoritetet nuk rekomanduan masa të reja, me vlerësimin se situata është “ende optimiste” dhe u rekomanduan qytetarëve me sëmundjet kronike të vaksinohen me doza të treta dhe të katërta të vaksinave kundër virusit korona.

Gusht

Pas fillimit zyrtar të procesit të bisedimeve me BE-në dhe polarizimit të shoqërisë rreth përmbajtjes së Kornizës së bisedimeve, kremtimi i festës së Republikës dhe dy Ilindenëve më 2 gusht nën moton “Ilindeni – forca jonë për të ardhmen”, kaloi me porosi uniteti dhe bashkimi, përkushtimi ndaj prioriteteve shtetërore, respektivisht rrugës drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Kreu i shtetit Pendarovski tha se është detyra jonë që të kujdesemi për Republikën tonë, që të gjithë qytetarët e saj ta ndjejnë atë si atdheun e tyre, duke theksuar se “e vërteta historike nuk mund të ndryshohet me marrëveshje, as me protokoll, sepse faktet zhveshin çdo konstrukt të imponuar, ndërsa koncepti i Evropës së bashkuar na jep mundësinë më të mirë për të rrumbullakuar zhvillimin e Maqedonisë së Veriut si republikë moderne evropiane.

Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi nga Qendra Memoriale KAÇKM në Pelincë, tha se ne kemi një shtet të përbashkët dhe se të gjithë jemi përgjegjës për ta ruajtur dhe zhvilluar atë për veten dhe për brezat e ardhshëm, duke theksuar se kemi marrë “vendime të vështira, burrështetase që zhbllokuan rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe në këtë rrugë u maturuam politikisht edhe ne si politikanë edhe qytetarë tanë”.

VMRO-DPMNE-ja mbeti në qëndrimin se nuk do t’i mbështesë propozimet për ndryshimin e Kushtetutës, ndërsa përfaqësuesit e pushtetit u bënë thirrje që të gjithë deputetëve në Kuvend të jenë në lartësinë e detyrës dhe të mbështesin vazhdimin e rrugës së vendit drejt anëtarësimit të plotë në BE, me atë që do të deklarohen për ndryshimet kushtetuese.

Shtator

Në fillim të shtatorit ka hyrë në fuqi Vendimi për shpalljen e gjendjes së krizës në fushën e energjetikës, së bashku me masat për kursimin e energjisë elektrike me vlefshmëri deri më 31 mars të vitit 2023.

Paralelisht me përpjekjet për përballimin e krizës energjetike, Qeveria miratoi Vendimin për vendosjen e strukturës së bisedimeve për aderimin e vendit në Bashkimin Evropian. Kryenegociatori u zgjodh zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, e zëvendëse e tij sekretarja shtetërore për çështje evropiane, Drita Abdiu Halili.

Në anën tjetër, VMRO-DPMNE-ja ka dorëzuar në Kuvend iniciativën për mbajtjen e referendumit, pas grumbullimit të nënshkrimeve të nevojshme për parashtrimin e tij, me pyetjen e referendumit “A jeni për heqjen e vlefshmërisë së Ligjit për ratifikimin e marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunimi ndërmjet Maqedonisë dhe Bullgarisë të shpallur në Gazetën Zyrtare më 18.01. 2017?”. Kryetari i Kuvendit, Xhaferi, e hodhi poshtë nismën me arsyetimin se është antikushtetuese, sepse “marrëveshjet ndërkombëtare që ratifikohen në përputhje me Kushtetutën janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe nuk mund të ndryshohen me ligj”.

Tetë muaj pas formimit të saj, Qeveria mbeti pa një anëtar të saj, pasi dha dorëheqje ministri i Vetëqeverisjes Lokale dhe lider i atëhershëm i Partisë Liberal Demokratike (PLD), Goran Milevski.

Spekulimet për stabilitetin e shumicës parlamentare u shtuan edhe më shumë, pasi njëzet anëtarë të pakënaqur të BDI-së, të cilët morën emrin “grupi i zjarrit”, në një letër të hapur kërkuan debat brenda partisë për situatën në parti dhe i bënë thirrje kreut të partisë Ali Ahmeti që të të përdorë autoritetin e tij politik dhe statutor për të gjetur një zgjidhje për ruajtjen e unitetit të partisë. Si fajtor për “situatat në parti” ata vunë në dukje zëvendëskryeministrin e parë Artan Grubi. Duke komentuar kërkesën e të ashtuquajturit “Grupi i zjarrit”, kreu i diplomacisë dhe zëdhënës i BDI-së, Bujar Osmani, tha se “në parti ka një nivel të lartë të demokracisë dhe secili mund të shprehë mendimin e tij, por fjalën e fundit e ka lideri Ahmeti”, duke shtuar se mazhoranca parlamentare është e qëndrueshme, ndërsa Qeveria është plotësisht e fokusuar në menaxhimin e krizës.

Tetor

Komisioni Evropian publikoi Raportin e progresit të vendit për vitin 2022, i cili u bë shkak për përplasje të reja mes pushtetit dhe opozitës. Derisa Raporti është pozitiv për pushtetin dhe njeh qëndrueshmërinë e reformave, opozita kritikon se dokumenti tregon pakujdesi sistematike të Qeverisë në zbatimin e reformave në shoqërinë.

Çështja e ndryshimeve kushtetuese vazhdoi të bënte bujë në skenën politike edhe gjatë muajit tetor. Aleanca e Shqiptarëve shpalli gatishmërinë e saj në parim për të mbështetur ndryshimet kushtetuese për “përfshirjen e kombeve të tjera në preambulë”, me kusht që gjuha shqipe të bëhet zyrtare në vend, ndërsa Besa e mbështeti idenë duke sugjeruar që nga Kushtetuta “të hiqet formulimi gjuha tjetër që e flasin 20 për qind e popullsisë” dhe të zëvendësohet me “gjuha shqipe”.

Nga ana tjetër, kreu i diplomacisë, Bujar Osmani, theksoi se procesi i ndryshimeve kushtetuese duhet të zhvillohet me dinamikë të përshpejtuar, në mënyrë që të mos

humbasë momentumi në bisedimet me BE-në dhe të mos lihet jaz kohor mes përfundimit të skriningut dhe hapjes së bisedimeve sipas kapitujve.

Gjatë muajit tetor, vendi u përball me fenomenin e denoncimeve të rrejshme për mjete shpërthyese, që filluan me denoncimin për vendosjen e bombës në autobusin e NQP “Shkup”, e më pas u përhapën me kërcënime për gjoja bomba të vendosura në shkollat e mesme të Shkupit. Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, tha se policia është duke punuar intensivisht për zbulimin e autorit dhe për të përcaktuar arsyet e raportimeve të tilla, duke theksuar se ato ndoshta janë pjesë e sulmeve hibride ndaj të cilave jemi të ekspozuar si shtet.

Nga fundi i muajit Qeveria pranoi anëtar të ri me zgjedhjen e Risto Penovit ministër të Vetëqeverisjes Lokale në vend të bashkëpartiakut të tij Goran Milevski, i cili për arsye personale dha dorëheqje nga posti.

Nëntor

Në Shkup mbërriti Presidenti gjerman Frank-Valter Shtajnmajer i cili porositi se vendi mund të vazhdojë edhe më tutje të mbështetet në mbështetjen e Gjermanisë në rrugën drejt BE-së, por duhet të vazhdojë me axhendën e reformave, duke theksuar se në rrugën drejt Evropës ia vlen hapi tjetër i vështirë – vendimi i rëndësishëm për ndryshimin e Kushtetutës, që do të hapë rrugën për bisedime për kapitujt në fusha të veçanta. Për planin e Qeverisë për anëtarësimin e vendit në BE në vitin 2030, Shtajnmajer vlerësoi se deri më tani askush nuk mund të parashikojë se sa reale është ajo datë, duke bërë të ditur se kjo do të varet nga shpejtësia me të cilën do të lëvizë procesi reformues.

Pikërisht, ndryshimet kushtetuese ishin një nga temat e takimit të liderëve, që u mbajt me iniciativë të kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Kovaçevski, i cili deklaroi se ka kërkuar “marrëveshje për unitet kombëtar për BE-në dhe përgjegjësi nga të gjithë”, që Kuvendi të funksionojë në mënyrë të papenguar, të gjithë deputetët të përfshihen në miratimin e ligjeve dhe tema për BE-në të mos jetë terren për politikë ditore, anëtarësimi në Bashkimit të konsiderohet interes mbipartiak dhe që të gjithë faktorët t’i japin mbështetje të plotë këtij procesi.

Sërish u aktualizua edhe çështja e zgjerimit të shumicës parlamentare, me pohimet për hyrjen e Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Qeveri. Këtë mundësi e paralajmëroi kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, duke deklaruar se për këtë kanë biseduar kryeministri Kovaçevski dhe ushtruesi atëhershëm i detyrës kryetar i ASH-së, Arben Taravari, por ata i hodhën poshtë informacionet e tilla, duke theksuar se në takimin e tyre nuk bëhej fjalë për zgjerimin e shumicës qeveritare, por për të ardhmen evropiane dhe vendimet që duhet të merren në atë rrugë në Kuvend me konsensusi të gjerë politik dhe shoqëror.

Temë e përplasjeve ndërpartiake u bë edhe dhënia e pasaportës maqedonase për shtetasin ukrainas Oleksandar Onishçenko, i cili është në “listën e zezë” amerikane, për shkak të lidhjeve me Moskën. Pas zbardhjes së rastit, Qeveria kërkoi që të anulohet vendimi për pranimin në shtetësi të Maqedonisë së Veriut të Onishçenkos, i cili me propozim të Federatës së kalorësve mori nënshtetësinë maqedonase si sportist kalorës.

Dhjetor

Në muajin e fundit të vitit, sipas traditës, Kuvendi miratoi Buxhetin e shtetit për vitin e ardhshëm, në të cilin është projektuar rritje ekonomike prej 2,9 për qind dhe inflacion 7,1 për qind. Të ardhurat e përgjithshme janë planifikuar në 282 miliardë denarë, ndërsa shpenzimet 324,8 miliardë denarë, me deficit buxhetor prej 4,6 për qind nga PBB-ja e planifikuar.

Në dhjetor në Tiranë u mbajt Samiti i BE-së – Ballkani Perëndimor, në të u përsërit “përkushtimi i plotë dhe i padyshimtë për perspektivën e anëtarësimit” të vendeve të rajonit në Bashkimin.

Vazhduan spekulimet për rekonstruksionin e Qeverisë dhe zgjerimin e shumicës parlamentare, ndonëse autoritetet i hodhën poshtë paralajmërimet e tilla me pohimin se Qeveria po funksionon me kapacitet të plotë për të përballuar të gjitha sfidat që i ka shteti. Opozita vazhdoi të këmbëngulë për zgjedhje të parakohshme këtë pranverë, ndërsa shumica qeveritare pohoi se viti 2023 nuk do të jetë vit zgjedhor.

Këtë muaj u publikua Informacioni se në vend kishte mbërritur një ekip për sanksione nga Uashingtoni për të kryer “hetim më agresiv ndaj aktorëve të korruptuar të dikurshëm dhe aktualë” dhe situatat me korrupsionin, problem ky që, siç vlerësuan politikanët, institucionet kompetente, por edhe ambasadorët e huaj, është i pranishëm dhe ka ende shumë punë për t’u bërë në përballjen me të edhe atë përmes reformave thelbësore, e jo vetëm në letër.

Për vitin e ri 2023, kryeministri Dimitar Kovaçevski deklaroi se si optimist racional pret që të jetë më i mirë se viti i kaluar, por se do të nevojitet shumë punë dhe menaxhim të përgjegjshëm në kushte të krizës.

Related posts

Sallahu: Hapi i parë për largim të obezitetit është largimi i ushqimit të tepërt

Gazetamax.mk

Arsovska: Në festën e besimit dhe shpresës së përjetshme, çdo familjeje i uroj begati dhe shëndet

Gazetamax.mk

Ambasada e Maltës ndanë dhurata për fëmijët tek Klinika për sëmundje të fëmijëve, priten nga drejtori Jahiji

Gazetamax.mk