Kryeministrja japoneze ka zbuluar se zakonisht fle vetëm dy orë çdo natë dhe u kërkon ndihmësve të saj të takohen në orën 3 të mëngjesit, duke shkaktuar shqetësim të ri në një vend të njohur për mbingarkesë pune.
Sanae Takaichi ka treguar se ia del me gjumë minimal, pas kritikave të javës së kaluar kur thirri ndihmësit në një takim herët në orët e para të mëngjesit në Tokio, vetëm pak orë para paraqitjes në parlament.
Ajo u kritikua për takimin e së premtes, të quajtur nga mediat japoneze si “seanca e studimit në 3 të mëngjesit”, e cila u mbajt vetëm gjashtë orë para nisjes së një seance dëgjimore të komisionit të buxhetit.
Puna e tepërt është një temë e ndjeshme në Japoni, ku po rriten shqetësimet për lodhjen dhe shëndetin mendor. Janë ngritur alarme për rritjen e rasteve të karoshi, që do të thotë “vdekje nga mbingarkesa e punës”. Kjo është cilësuar si shkak për një sërë vdekjesh vitet e fundit.
Duke folur këtë javë në një seancë të një komisioni legjislativ, znj. Takaichi u tha deputetëve: “Tani fle rreth dy orë, katër orë maksimumi. Ndoshta nuk është mirë për lëkurën time.”

