Kumbaro: Manipulim online dhe presione edhe të dhunshme ndaj nxënësve për bojkot të mësimit

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro deklaroi sot se të gjitha shkollat në vend, përfshirë ato në Tiranë dhe Kamzë, janë kthyer në normalitet, pas problematikave të evidentuara gjatë dy javëve të fundit, duke theksuar se siguria dhe mirëqenia e fëmijëve mbeten përgjegjësi e përbashkët institucionale.

Gjatë mbledhjes së Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Kumbaro u ndal te ndikimi i zhvillimeve të fundit te nxënësit dhe adoleshentët, veçanërisht përballë presioneve nga grupet e ndryshme, manipulimit në internet dhe thirrjeve për bojkot të mësimit.

“Pas çdo diskutimi për shkollën dhe për rregullat, për sigurinë dhe të drejtat e fëmijëve, janë fëmijë konkretë, janë familje konkrete, me nevoja dhe ndjeshmëri konkrete. Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo fëmijë të ketë një mjedis ku të ndihet mirë, i sigurt, i dëgjuar, i pranuar dhe i mbështetur”, u shpreh ministrja.

Ajo theksoi se zhvillimet e fundit kërkojnë reflektim mbi mënyrën se si fëmijët dhe adoleshentët përballen me konfliktin, ndikimin e grupit dhe kërcënimet, si dhe mbi aftësinë e tyre për të vlerësuar pasojat e veprimeve.

Sipas Kumbaros, gjatë dy javëve të fundit janë evidentuar raste të presionit ndaj nxënësve përmes thirrjeve të shpërndara në rrjetet online dhe nga grupe jashtë shkollave, për bojkot të procesit mësimor dhe pjesëmarrje në tubime gjatë orarit të mësimit.

“Manipulimi online ka qenë shumë i lartë, ku nxënësit që zhvillonin mësim përballeshin me presione nga jashtë shkollës, nga grupe të caktuara që bënin thirrje edhe të dhunshme për bojkot të mësimit dhe dalje në tubim gjatë orëve të mësimit, pa dijeninë e prindërve, të cilët i kanë sjellë në shkollë dhe jo në tubim”, deklaroi Kumbaro.

Në këtë kuadër, Kumbaro bëri të ditur se Ministria e Arsimit ka vijuar koordinimin institucional me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Agjencinë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve.

Ndërkohë, strukturat arsimore janë angazhuar për informimin e drejtuesve të shkollave, mbështetjen e shërbimit psikosocial dhe forcimin e komunikimit me familjet.

Kumbaro nënvizoi se bashkëpunimi ndërinstitucional dhe me prindërit do të vijojë, me synimin për të nxjerrë mësime nga situatat e fundit dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për nxënësit.

“Normalizimi i situatës është i rëndësishëm dhe unë mund t’ju konfirmoj plotësisht që të gjitha shkollat, kryesisht shkollat e mesme ku i kemi pasur edhe problematikat në qytetin e Tiranës dhe në bashkinë e Kamzës, kanë hyrë të gjitha në normalitet dhe kudo tjetër në Shqipëri”, përfundoi ministrja.

Burimi:botasot.info