Ministria e Arsimit, në bashkëpunim me Urdhrin e Psikologut, ka vënë në dispozicion të qytetarëve një ekip prej më shumë se 20 psikologësh, të gatshëm për të ofruar mbështetje psikologjike për personat e prekur emocionalisht nga ngjarjet e ditëve të fundit.
Përmes një postimi, Ministria e Arsimit bën të ditur se shërbimi u drejtohet qytetarëve, të rinjve, të miturve dhe nxënësve të shkollave, të cilët janë ekspozuar ndaj shprehjeve dhe akteve të ndryshme të dhunës.
Psikologët do të ofrojnë dëgjim, mbështetje dhe ndihmë profesionale për përballimin e vështirësive emocionale, duke garantuar konfidencialitet dhe trajtim pa paragjykim.
Sipas njoftimit, Urdhri i Psikologut ka vënë në dispozicion një listë paraprake me emrat dhe kontaktet e profesionistëve që kanë shprehur gatishmërinë për të ofruar këtë shërbim, në përgjigje të nevojave të qytetarëve në situata tensioni, pasigurie dhe ngarkese emocionale.
Ministria e Arsimit thekson se ekipi i psikologëve është i gatshëm të ofrojë mbështetje sipas nevojave dhe rasteve që kërkojnë vëmendje profesionale.
“Sepse kujdesi për shëndetin mendor është mbi të gjitha kujdes për njeriun, dinjitetin dhe mirëqenien e tij”, thuhet në mesazhin e publikuar nga Ministria e Arsimit.
Burimi:botasot.info
