Një reagim i fortë nga profesori universitar i Etikës, Sami Shala, ka nxitur debat në rrjetet sociale, pasi ai ndau shqetësimin për një situatë që, sipas tij, prek drejtpërdrejt dinjitetin e të rinjve. Profesori tregoi se kishte parë tre nga studentët e tij duke pritur para derës së një lokali në Prishtinë, në pritje të vendimit të pronarit nëse do t’u lejohej hyrja apo jo.
Në reagimin e tij publik, ai e cilësoi këtë praktikë si një “filtër për ego”, duke theksuar se vende të tilla nuk promovojnë respektin, por përzgjedhjen mbi baza sipërfaqësore. “Respekti nuk matet me fytyra të njohura apo me lista,” shkroi ai, duke i këshilluar studentët dhe të rinjtë në përgjithësi të zgjedhin ambiente ku mirëpriten pa kushte.
Profesori shtoi se pranimi i një situate të tillë nënkupton lejimin që vlera personale të përcaktohet nga të tjerët. “Të selektohesh për një kafe është poshtërim,” theksoi ai, duke e lidhur këtë fenomen me mungesën e vetërespektit.
Mesazhi i tij përfundon me një thirrje të qartë: respekti për veten fillon në momentin kur refuzojmë të pranojmë trajtime të tilla. Reagimi ka ngjallur diskutime të shumta mbi standardet sociale dhe mënyrën se si trajtohen klientët në hapësirat publike.
