​Kurti takohet me mërgatën në Paris, u premton mbështetje ndërmarrësve për investime në Kosovë

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti u takua në Paris me pjesëtarë të mërgatës.

Në këtë takim që u zhvillua para pjesëmarrjes së tij në Forumin e Paqes në Paris, Kurti tha se përfshirja sa më madhe dhe më e gjerë e bashkatdhetarëve në jetën publike e institucionale në Kosovë, përveç lidhjes së tyre me vendlindjen, i shërben forcimit të institucioneve të Republikës, me përvojën dhe ekspertizën, me kulturën dhe shprehinë e punës, që sjellin nga demokraci e shtete të zhvilluara.

“Nëpërmjet “Dritares për Investime të Diasporës” do të mbështeten ndërmarrës nga mërgata për investime që realizohen në Kosovë. Për kreditë që merren për investimet e tyre, shteti ynë do të jetë garant, duke shërbyer si hipotekë për ta.

Kësisoj mërgata lëvizë drejt kapërcimit nga sakrifica për të kontribuuar në investim për të fituar. Ndërkaq, me Programin 1 Miliard Euro për prodhim dhe industri do të mbështeten projektet strategjike dhe prioritare të industrisë”, tha Kurti.

Burimi: botasot.info