Mbrëmjen e së hënës në kryeqytet u zhvillua një operacion i mirëkoordinuar, ku dhe u goditën tre call-centera, që kanë mashtruar me mijëra qytetarë evropianë të cilët kanë humbur deri në 50 milionë euro.
Operacioni ka qenë rezultat i një hetimi dyvjeçar i Prokurorisë së Tiranës, i zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet austriake dhe me mbështetjen Europolit, duke çuar në finalizimin e një aksioni të gjerë policor në disa pika njëkohësisht në kryeqytet, në zona pranë qendrës së Tiranës dhe në ambiente ku dyshohej se funksiononte aktiviteti i paligjshëm në disa kate të një godine.
Gjatë ndërhyrjes, agjentët e Krimit Kibernetik kryen kontrollet brenda ambienteve, duke sekuestruar prova të shumta që lidheshin me aktivitetin e dyshuar kriminal. Në total u arrestuan 10 persona, të cilët dyshohen si pjesë e këtij rrjeti, disa prej tyre si organizatorë dhe të tjerë të kapur në flagrancë, ndërsa 2 persona të tjerë janë shpallur në kërkim.
Nga kontrollet u sekuestrua një shumë e madhe parash cash, rreth 891,735 euro, si dhe një numër i konsiderueshëm pajisjesh elektronike, përfshirë kompjuterë, laptopë dhe celularë, të cilët dyshohet se përdoreshin për realizimin e skemave të mashtrimit ndaj shtetasve të huaj. Në ambientet e kontrolluara u gjetën gjithashtu rreth 80 operatorë, të cilët u morën në pyetje nga hetuesit dhe iu sekuestruan pajisjet e komunikimit për analizim të mëtejshëm.
Ky operacion konsiderohet një nga goditjet më të forta ndaj rrjetit të call centera-ve të paligjshëm që veprojnë në vendin tonë, ndërsa merita kryesore e këtij hetimi i atribuohet rolit të Prokurorisë së Tiranës në veçanti prokurores Rovena Zoto, e cika e ka udhëhequr dosjen për rreth dy vite me radhë.
Zoto, e cila është pjesë e Prokurorisë së Tiranës prej vitit 2021, ka një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë, duke ushtruar më herët detyrën e prokurores në Prokurorinë e Lushnjës dhe më pas në Tiranë, dhe është vlerësuar ndër vite për punën e saj.
Ajo është diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2010 dhe në vitin 2023 ka kaluar me sukses procesin e Vettingut, duke u konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, çka i ka dhënë vijimësi karrierës së saj në Prokurorinë e Tiranës.
Sipas burimeve hetimore, pikërisht këmbëngulja dhe puna e gjatë hetimore ka qenë vendimtare në dokumentimin e skemës dhe identifikimin e personave të përfshirë, në një terren ku më herët janë raportuar edhe vështirësi në goditjen e plotë të këtij lloj aktiviteti kriminal.
Aktualisht hetimet vijojnë dhe autoritetet po analizojnë në detaje të gjitha pajisjet e sekuestruara, me qëllim identifikimin e bashkëpunëtorëve të tjerë dhe zbardhjen e plotë të rrjetit, ndërsa operacioni vlerësohet si një nga ndërhyrjet më të forta dhe më të suksesshme ndaj mashtrimeve përmes call center-ave në Shqipëri.
