GazetaMax
Lajme

Kush i bllokon nënshtetësitë? Drejtori aktual i emëruar ambasador, por nuk lëviz nga vendi…

Shkup, 23 Shtator – Asnjë zyrtar tjetër përveç Viktor Dimovskit, nuk ka numër të saktë sesa kërkesa për shtetësi presin mendim nga ASK. MPB gjithmonë pyetjet që kanë të bëjnë me aplikimet për shtetësi i drejton në ASK, ndërsa drejtori Dimovski kurrë nuk është përgjigjur për numrin e saktë. Kjo është edhe arsyeja pse në opinion, partitë shqiptare në Qeveri japin numra të ndryshëm, në të shumtën e rasteve shumë herë më të vogël sesa në fakt ka aplikime për shtetësi. Shkurt – nuk kanë qasje te të dhënat e Viktor Dimovskit. Dhe, në vend se të përgjigjet para drejtësisë, ai po shpërblehet sërish.

Viktor Dimovski, drejtori aktual i Agjencisë për Siguri Kombëtare, javën e ardhshme do të paketojë gjërat për të udhëtuar drejt Parisit, me detyrë tashmë të re – atë të ambasadorit të Maqedonisë së Veriut në Francë. Një jetë brenda sigurimeve shtetërore, Dimovski do të mbahet mend si zyrtari që shkeli mbi ligjet dhe të drejtat themelore të njeriut – atë të mohimit të shtetësisë për mijëra shqiptarë, të cilët, edhe përkundër asaj që kanë plotësuar kushtet, nuk arritën të marrin dokumentin që vërteton se janë pjesë e këtij shteti. Do të mbahet mend edhe si zyrtari që nuk i dha llogari Qeverisë, organit që e emëroi në detyrat kyçe të shtetit, ndërsa mbajti larg punonjësit shqiptarë në ASK dhe institucionet që ai drejtoi ndër vite. Përfaqësim i zbehtë i shqiptarëve në ASK, ndërsa në kundërshtim me sugjerimet e NATO-s, në këtë agjenci vazhdojnë të kryejnë detyra të larta shumë punonjës maqedonas me padi penale, si dhe me shtetësi të dyfishta, sikurse janë ata të Pustecit të Shqipërisë – të angazhuar ekskluzivisht për përgjimin e shqiptarëve. Nga ana tjetër, disa punonjës shqiptarë të DSK-së nuk arritën të bëhen pjesë e ASK-së së reformuar, pasi nuk morën dritë jeshile nga vet Dimovski. Që të gjithë këta shqiptarë e kishin një të përbashkët – kishin ndonjë lidhje familjare në Kosovë.

Burime zyrtare të gazetës KOHA tregojnë se, për tre vite me radhë (2019, 2020 dhe 2021), përkundër aplikimit të rreth 3000 qytetarëve për shtetësi, shumë pak qytetarë -për të mos thënë asnjë, kanë marrë përgjigje pozitive nga Viktor Dimovski. Mijëra lëndë të trashëguara që nga Drejtoria për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), ASK e tanishme ka shtuar dosjet që presin nënshkrimin e Dimovskit.

Ishte vet kryeministri Dimitar Kovaçevski ai që publikisht e gjykoi Agjencinë e Sigurisë Kombëtare për punë joproduktive në procedimin e kërkesave për shtetësi. Kovaçevski muaj më parë tha se i ka kërkuar Dimovskit përshpejtimin e procedurave. “E njoftoj drejtorin e ASK-së për kërkesën që ka për të përshpejtuarmë procesin. Qytetarët duhet sa më shpejtë që mundet të furnizohen me ato shërbime, përkatësisht shtetësi. Nëse flasim për rritjen e produktivitetit në sektorin privat, atëherë duhet të flasim edhe për rritjen e produktivitetit tek sektori publik”, deklaroi Kovaçevski, duke përmendur numrin prej 20 mijë kërkesave për shtetësi që presin aminin e Agjencisë së Dimovskit.

Related posts

Ivanovska: Ndikimi politik nuk lejon që lëndët tona të kenë përfundim

Gazetamax.mk

Rrëfehet Miss Hungaria, Viktoria Jazmin: Si e përjetova makthin me biznesmenin shqiptar në Ohër

Gazetamax.mk

Forumi i Gruas së Besës në Tetovë stërmbush Shtëpinë e Kulturës dhe zgjedh kryetaren

Gazetamax.mk