GazetaMax
Lajme

Kush pengon përzgjedhjen e firmës për mbikëqyrje të Behtel dhe Enka?

Shkup, 8 Dhjetor – Ndërmarrja publike për rrugë shtetërore ka dështuar brenda 40 ditëve të përzgjedhë njërën nga tre kompanitë që kanë aplikuar në tender për të mbikëqyrur punimet e ndërtimit të kompanisë Behtel-Enka. Ofertat janë hapur më 25 tetor dhe deri më sot kanë kaluar saktësisht 44 ditë, që do të thotë se komisioni pranë kësaj ndërmarrje është vonuar 4 ditë me përzgjedhjen. Këtë afat e ka bërë të ditur personalisht ministri i Transportit Bllagoj Boçvarski.

“Pas shqyrtimit të dokumentacionit, shërbimet në kompaninë publike do të shqyrtojnë plotësinë e ofertave dhe më pas do të njoftohet edhe publiku”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Drejtori i NPRSH-së, Ejup Rustemi, as sot, si zakonisht, nuk iu përgjigj thirrjeve tona telefonike. Megjithatë, nga shërbimi i marrëdhënieve me publikun na informuan shkurt se procesi për përzgjedhjen e kompanisë për mbikëqyrje nuk ka dështuar.

“Është përfunduar vlerësimi i përzgjedhjes së kompanisë. Aktualisht ka kontroll administrativ të kompanive. Kur të përfundojë i gjithë procesi i përzgjedhjes së mbikëqyrjes, do të njoftohet publiku”, thonë nga NPRSH.

Kjo është përpjekja e dytë përmes një shpallje publike të sigurohet kompani që do ta mbikëqyrë ndërtimin e rrugëve nga konsorciumi amerikano-turk Behtel dhe Enka. Sipas informacioneve, oferta janë paraqitur nga tre kompani të huaja, një firmë amerikane, franceze dhe italiane, ndërsa ofertat e tenderit varionin nga 25 deri në 18 milionë euro. Përzgjedhja e kompanisë mbikëqyrëse është kusht për fillimin e punimeve të ndërtimit, të cilat ende nuk kanë nisur, edhe pse kanë kaluar më shumë se një vit e gjysmë nga vendimi ligjor për përzgjedhjen e Behtel dhe Enka, si kompani që do të ndërtojë më shumë seksione autostrade. Nuk ka asnjë përgjigje konkrete se pse përzgjedhja e kompanisë mbikëqyrëse zgjat më shumë se gjashtë muaj – dhe ende nuk ka përfunduar.

Related posts

Vlladimir Ançev është sekretar i ri shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes

Gazetamax.mk

Ali Ahmeti në Top Story: Edi Rama nuk ka ndërhyrë në punët e brendshme të organizmit politik në Maqedoni

Gazetamax.mk

Spasovski: Është realizuar kursim prej 30 për qind energji elektrike për muajin tetor

Gazetamax.mk