GazetaMax
LAJME

Kush po përfiton në kohë krize dhe a ka shpresa për ulje të çmimeve?

Shkup, 1 nëntor – Maqedonia e Veriut sikurse shumë shtete të tjera ka pësuar një “kolaps” ekonomik për sa i përket menaxhimit të situatës me krizën e re ekonomike, e cila ka prekur secilën shtresë të qytetarëve. Në mesin e krizës ekonomike vazhdojnë paralajmërimet se pritet një dimër i ftohtë, që nënkupton se nga kriza nuk ka shpëtim vetëm se thellim edhe më shumë. Por, nga kjo që po shihet në terren po vërehet se perceptimi që çdokush është duke humbur dhe është dëmtuar nga kriza ekonomike është perceptim i pasaktë, sepse shumë biznese çmimet e ngritura të ushqimeve bazë i kanë të fryra artificialisht që të përfitojnë materialisht nga qytetarët që janë të lodhur edhe psiqikisht nga kjo periudhë e vështirë, shkruan Zhurnal.

Kriza ekonomike vret bizneset, duke shkaktuar probleme në punësim dhe të ardhura, por mund të nxisë rritjen e disa prej tyre që nuk është ndonjë paradoks nëse ndodhë sipas strategjive të duhura të marketingut pa dëmtuar edhe më shumë qytetarët.

Po ashtu kriza mund të nxisë edhe krijimin e bizneseve të reja. Siç kanë treguar edhe përvojat ndërkombëtare, kriza ekonomike nuk është tërësisht një kohë e keqe për bizneset. Kur njerëzit papritmas kanë më pak para për të shpenzuar, sipërmarrës më të zgjuar mund të shikojnë një mundësi për t’u dhënë atyre atë që duan më lirë ose në mënyrë më të kapshme.

Por, kjo fatkeqësisht nuk po ndodhë në RMV, sepse ka pasur raste të shumta që në marketet ushqimore, çmimet e ushqimeve bazë janë rritur në mënyrë të çrregullt, ku edhe vetë qytetarët kanë detektuar e denoncuar raste ku për produkte të njëjta në vende të ndryshme shiten me çmime të ndryshme.

Këto raste janë tregues të qartë se njerëz të pa ngopur po tentojnë të shfrytëzojnë situatën me krizën që të përfitojnë e të rriten si biznese. Por, fatmirësisht edhe përkundër këtyre profiterëve mafiozë ka edhe njerëz që janë solidarizuar me qytetarët duke ofruar produktet bazë si: qumështin, vajin e miellin me çmime pa asnjë përfitim.

“Do t’u vëmë dry marketeve të cilët duan të përfitojnë në shpinën e qytetarëve”, pati paralajmëruar ministri i ekonomisë Kreshnik Bekteshi. Raste të tilla ka pasur shumë, por drynat nuk janë vendosur askund.

Pavarësisht masave çmimet u rritën, për disa produkte madje edhe për 50%, pas së cilës u shtrua çështja e përfitimeve të mundshme në kohë krize dhe e manipulimeve me çmimet. Por, asgjë konkrete nuk është marrë deri më tani nga organet kompetente siç është Inspektorati i Tregut të cilët shumë herë kanë dalë në terren e janë kthyer ashtu si kanë dalë.

Nuk ka pothuajse asnjë sektor, biznes, aktivitet, shërbim ku nuk janë rritur çmimet përfundimtare për qytetarët. Në shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar, indeksi i çmimeve në hotelieri është rritur për 17,6%, indeksi i çmimeve të produkteve finale në industrinë përpunuese është rritur për 25,8%. Dhe, këto rritje kanë bërë që për qytetarët drekat e darkat jashtë të mbesin vetëm dëshirë.

Mishi dhe prodhimet e mishit gjithmonë kanë qenë pjesë e pandarë e kuzhinave tradicionale për të gjitha kulturat ballkanike. Por, thellimi i varfërisë nga njëra anë dhe rritja e madhe e çmimeve nga ana tjetër, po e largojnë gjithnjë e më shumë mishin nga tryeza.

Në fakt, një raport i Eurostat-it, zyrës evropiane të statistikës, tregon se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kryesojnë në gjithë kontinentin evropian, për nga numri i popullsisë që nuk mund të përballojnë konsumimin e mishit rregullisht. Rreth 36.5 për qind e popullsisë së Maqedonisë së Veriut, sipas raportit, nuk mund të përballojnë një vakt me mish të kuq, pulë ose peshk çdo të dytën ditë. Menjëherë pas vjen Shqipëria me 34.3 për qind të popullsisë në pamundësi për të siguruar një vakt me mish çdo të dytën ditë.

Nga ana tjetre, inflacioni në Eurozonë ka prekur rekord të ri në tetor, duke arritur në 10.7 për qind, në krahasim me muajin e njëjtë të vitit të kaluar, ka bërë të ditur Zyra e Bashkimit Evropian për Statistika, Eurostat. Ekonomistët kanë pritur që shkalla e inflacionit të arrijë në 10.3 për qind. Inflacioni në tetor është më i larti prej prezantimit të euros më 1999. Në muajin paraprak, çmimet e konsumit janë rritur për 9.9 për qind.

Por, edhe përkundër kësaj situate të rënduar ekonomike mashtruesit gjejnë sërish hapësirë të përfitojnë nga kuleta e zbrazur e qytetarëve, të cilët tani shportat ushqimore i kanë të përgjysmuara vetëm e vetëm për të përballuar këtë situatë.

Kujtojmë që, çmimet e produkteve ushqimore bazë duhet të ulen nga1 dhjetori pasi Qeveria njoftoi zyrtarisht se 150 kompani nga industria ushqimore do të marrin çmim më të ulët dhe të garantuar të energjisë elektrike. Sipas përllogaritjeve, çmimi i bukës, miellit, vajit për gatim, qumështit duhet të ulet për rreth 10 për qind. Pritet të jetë një lehtësim për qytetarët, asesi i mjaftueshëm por gjithsesi i nevojshëm. /Zhurnal.mk

Related posts

Ruskovska: Arsyet e suspendimit tim janë Spasovski dhe rasti “Besa Trans”

e-max

Kosovarët po fitojnë shumë nga ‘Tik-tok’, ATK paralajmëron fillimin e mbledhjes se tatimeve

e-max

Kontrolle aksionare në objektet hotelierike – të arrestuar për drogë dhe armë në Shkup dhe Kumanovë

e-max