GazetaMax
Lajme

Largimi i mjegullës nuk e uli nivelin e lartë të ndotjes në Shkup

Shkup, 7 Janar – Kryeqendra e Maqedonisë së Veriut për disa ditë me radhë ndodhet në mesin e dhjetë vendeve të botës me ndotjen më të lartë të ajrit. Shkupi është renditur në vendin e nëntë në mesin e qyteteve të botës me ndotje të lartë të ajrit.

Platforma I-Q Air të premten me datë 6 janar ka treguar se se indeksi i ndotjes është 174 përderisa janë matur 99.2 mikrogram (mg/m3)për metër kub. Derisa grimcat PM10 kanë kaluar sasinë e lejuar prej 150 mg/m3, të premten në Shkup u regjistruan 167.7 grimca PM10 për metër kub.

Në vendin e parë të kësaj liste, për sa i përket ndotjes së ajrit, ndodhet qyteti Delhi i Indisë, i pasuar nga qyteti Lahore i Pakistanit dhe Shangai në Kinë.

Nga vendet e rajonit para Shkupit është vetëm Sarajeva e Bosnje e Hercegovinës.

Shifrat e larta të ndotjes së ajrit po e përcjellin Shkupin dhe disa qytete të vendit, si Tetova, Kërçova e Strumica, për disa ditë gjatë kësaj jave.

Lidhur me këtë, Instituti i Shëndetit Publik u ka rekomanduar qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpi nëse nuk kanë nevojë për të dalë jashtë, si dhe t’i shmangin aktivitetet fizike jashtë ambienteve të shtëpisë.

Qytetarëve që dalin jashtë për shkak të detyrimeve, u është rekomanduar që të vendosin maska mbrojtëse me efikasitet të dëshmuar.

Organizatat që në fokus kanë mbrojtjen e ambientit jetësor thonë se problematike nuk është vetëm mjegulla që ka mbuluar Shkupin që nga 1 janari, pasi gjatë ditës së premte ajo pothuajse është larguar, por problematike mbeten shifrat e larta të ndotjes së ajrit. Sipas tyre, problemi qëndron te politikat e joadekuate të Qeverisë për ta zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit.

“Niveli lartë i ndotjes së ajrit në shumë vende të Maqedonisë së Veriut, ku kryeson Shkupi, është si rezultat i çmimit të lartë të energjisë elektrike, ku si pasojë shumë banorë, të cilët janë ngrohur me pajisje që punojnë me energji elektrike, tani kanë kaluar në mjete tjera ngrohëse si, druri, peleti apo mazuti. Niveli i lartë i ndotjes është dhe si rezultat i papërgjegjshmërisë së Qeverisë, e cila nuk arriti ta mbajë nën kontroll këtë situatë, pavarësisht paralajmërimeve se shumë amvisëri nuk do të arrijnë ta përballojnë shumëfishimin e faturave të energjisë elektrike”, thotë për Radion Evropa e Lirë, Arianit Xhaferi, nga organizata joqeveritare Eco Guerila, që në fokus ka mbrojtjen e ambientit jetësor.

Ai thekson se qytetarët nuk do ta shmangin përdorimin e lëndëve djegëse që ndotin ajrin përderisa faturat e energjisë elektrike mbeten shumë të larta.

Nga Instituti i Shëndetit Publik theksojnë se qytetarët që nuk ndihen mirë dhe përjetojnë efekte negative të ndotjes së ajrit duhet të vizitojnë mjekun e familjes apo klinikën e afërt shëndetësore.

Ndotja e ajrit është nja nga arsyet që ka çuar dhe në rritjen e numrit të qytetarëve që kanë probleme me sistemin e frymëmarrjes.

“Po kemi gjithnjë e më shumë pacientë që vijnë me probleme të sistemit të frymëmarrjes. Nuk mund të flasim për shifra, në këtë moment, por mund të them se më të ndjeshëm janë personat me sëmundje kronike, të cilët vështirë përballojnë ndotjen e ajrit”, thotë mjeku Sasho Ollumcev.

Shifrat e larta të ndotjes së ajrit kanë bërë që edhe partitë politike të dalin me akuza e kundërakuza.

Socialdemokratët, të cilët janë në pushtet, kanë akuzuar VMRO DPMNE-në në opozitë, e cila ka shumicën në pushtetin vendor të qytetit të Shkupit. Lidhja Social Demokrate e Maqedonisë së Veriutm nëpërmjet një komunikate thotë se pushteti lokal i VMRO DPMNE-së, partisë Levica, me kryetaren Danella Arsovska, nuk po bëjnë asgjë për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.

“Duke u marrë me tenderë, ndikime biznesi dhe komisione, ata harruan atë që u premtuan qytetarëve një vit më parë dhe ulën ndjeshëm fondet për mjedisin në buxhetin e qytetit. Ata, gjithashtu, shkurtuan subvencionet për blerjen e invertorëve për personat fizikë. Transporti publik nuk funksionon, nuk ka asnjë shenjë nga 100 autobusët elektrikë të shpallur me pompozitet”, thuhet në komunikatën e LSDM-së.

Por, VMRO DPMNE-ja, është përgjigjur se socialdemokratët fituan pushtetin në saje të premtimit për ajër të pastër, megjithëse ky premtim për shtatë vjet nuk ka arritur të realizohet:

“Për shtatë vjet, pushteti qendror nuk realizoi asnjë projekt apo masë më të madhe me karakter kombëtar për të luftuar kundër ndotjes”.

Sipas VMRO-DPMNE-së, për katër vjet socialdemokratët kanë udhëhequr dhe me pushtetin lokal në qytetin e Shkupit dhe nuk kanë bërë asnjë veprim që do të ulte nivelin e ndotjes.

Related posts

Tilev: Procesi për në BE, barrë e rënd që nuk duhet fundosur

Gazetamax.mk

Mickoski: Masat e qeverisë të pa mjaftueshme dhe të vonuara

Gazetamax.mk

Çështjet mjedisore nuk duhet të jenë asnjëherë dytësore, mbrojtje e parkut më të madh ndërkufitar në Evropë!

Gazetamax.mk