Shkup, 3 qershor – Lëvizja Besa sot përmes një komunikatë për media, kanë pyetur Bashkimin Demokratik për Integrim se çfarë po feston në 20 vjetorin e saj. Ata kanë cekur krizat dhe sfidat me të cilat po ballafaqohet Maqedonia periudhën e fundit, veçanërisht qyteti i Tetovës, ku kishte vërshime si dhe u dogj një fabrikë, transmeton Zhurnal.
Ata akuzojnë BDI-në se Tetova është në gjendje kritike dhe nuk është koha për të festuar me koncerte.
“Kriza ekonomike nëpër të cilën kalon vendi është tejet e vështirë, për çdo ditë mirëqenia është në nivelin më të ulët. Shtrenjtimi i derivateve të naftës, rritja e çmimit të produkteve ushqimore, rritja e çmimit të energjisë elektrike e shumëçka tjetër është e papërballueshme për çdo familje në vend. Duke u përballur me këtë krizë të madhe, Tetova këto ditë u përball edhe me fatkeqësi natyrore, rreshjet e rrëmbyeshme të shiut bllokuan qytetin e Tetovës së bashku me fshatrat e Malësisë.
Dy ditë pas vërshimeve, Tetovën e kaploi tymi i zi, një zjarr i madh shpërtheu në një depo fabrike në Tetovë. Pas gjjithë këtyre vështirësive dhe momenteve kritike, BDI po e sheh të arsyeshme të festoj në Tetovë, pikërisht në sheshin “Iliria”, ku qeveria në të cilën bën pjesë BDI nuk e pa të arsyeshme të vijë në Tetovë dhe të shoh çfarë ndodh”, thonë nga Besa.
Ata pyesin BDI-në se a thua vallë ata festojnë vërshimet, zjarrin që dogji fabrikën Makedonija Tabak, frigoriferët e zbrazura nëpër amvisëritë? Nga L.Besa habiten si mundet BDI t’u japë këngëtarëve nga 8000 euro kur qtetarët nuk kanë asnjë qindarkë në xhep.
“Çfarë feston BDI në Tetovë, vërshimet të cilat kapluan Tetovën, apo dëshirojnë të bëjnë festë se qytetarët i kanë të shprazur frigoriferët. Apo po festojnë djegien e fabrikës. A, nuk ju vjen turp që para këngëtarëve të cilët do paguhen nga 8000 euro t’i nxjerrim qytetarët të cilët nuk kanë qindarka në xhep? Çdo mendje e shëndosh do kishte reflektuar për t’u anuluar ky koncert, por si duket qejfet e tyre janë përpara popullit dhe fatkeqësive të tyre!”, thuhet në komunikatën e sotme të Lëvizjes Besa./Zhurnal.mk