Tuesday, April 21, 2026

Lajmi në kohë reale

‘Lira’, një dedikim për 30-vjetorin e martesës vjen nga artisti Naser Berisha

Kantautori i mirënjohur, Naser Berisha, ka publikuar gjatë ditës së mërkurë projektin e tij më të ri me titull “Lira”, një dedikim i ndjerë dhe tejet personal për bashkëshorten e tij, Lirijen, me rastin e 30-vjetorit të martesës së tyre.

Ajo që e bën këtë projekt unik është fakti se protagonistja kryesore në videoklip është vetë bashkëshortja e tij, Lirija. Prania e saj në ekran i jep këngës një dimension tjetër vërtetësie, duke i lejuar publikut të shohë nga afër portretin e gruas që ishte muza dhe forca e Naserit në tri dekadat e fundit.

Nga ana muzikale, kënga është ndërtuar me mjeshtëri për të përcjellë peshën e tekstit. Ajo nis me një strofë të qetë dhe meditative, që e fton dëgjuesin të koncentrohet në çdo fjalë të historisë që nisi në dhjetorin e vitit 1994. Por, sapo arrin te refreni, kënga “shpërthen” në një baladë epike, ku zëri karakteristik dhe plot emocion i Naserit dominon skenën, duke i dhënë shpirt çdo rreshti.

Përmes vargjeve, Naseri shpalos një rrugëtim të mbushur me sakrifica dhe triumfe. Kënga prek momente delikate, siç janë sfidat shëndetësore që artisti kaloi, duke e cilësuar Lirijen si “eliksirin e jetës” dhe prehrin ku gjeti gjithmonë qetësi. “Kur sëmundja më godiste rëndë e shumë vështirë, gjeja prehrin tënd kokën për ta shtrirë”, janë fjalët që dëshmojnë peshën e kësaj lidhjeje.

Sot, të rrethuar nga dashuria e fëmijëve të tyre, Naseri dhe Lirija vijnë në këtë videoklip si dëshmi e gjallë se dashuria e vërtetë jo vetëm që mbijeton, por forcohet me kalimin e viteve. “Lira” është një falënderim publik për gruan e jetës, e shkrirë në një melodi që vetëm Naser Berisha di ta interpretojë me aq fuqi dhe ndjenjë. Ne ju ftojmë ta dëgjoni këtë himm dashurie në linkun më poshtë!

Latest Posts

Mos e humb lajmin