Maja Mojsova, profesioniste e njohur dhe aktive prej vitesh në jetën publike, ka shpallur kandidaturën e saj për kryetare të Komunës së Karposhit. Në një fjalim të ndjerë dhe me tone vizionare drejtuar qytetarëve të Karposhit, Mojsova theksoi se suksesi nuk matet me tituj, por me guximin për të ëndërruar dhe me përkushtimin për të sjellë ndryshime të qëndrueshme.
“Karposhit i duhet një energji e re. Një komunë që zhvillohet me dije, etikë dhe vizion. Një komunë që frymon me kulturë dhe kujdes për qytetarët,” tha ajo, duke premtuar punë, ndershmëri dhe përkushtim.
Me mesazhin e saj “Ta rikthejmë pulsin e Karposhit”, Mojsova ftoi qytetarët të bashkohen rreth vlerave dhe të ndërtojnë së bashku një Karposh që frymëzon dhe jeton me dinjitet.
Ajo gjithashtu theksoi nevojën për rikthimin e besimit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë, veçanërisht për gjeneratat e reja.
Fushata e saj pritet të fokusohet në transparencë, përfshirje qytetare, mbështetje për arsimin, kulturën dhe një mjedis të shëndetshëm urban.
Të nderuar qytetarë të Karposhit,
Gjithmonë kam besuar se suksesi i vërtetë nuk matet me tituj, por me guximin për të ëndërruar dhe forcën për të qëndruar.
Profesioni tim e kam zgjedhur me dashuri, dhe kur punon me dashuri, edhe ditët më të vështira marrin kuptim.
Mësimi nuk përfundon me diplomën – ai zgjat gjatë gjithë jetës, ashtu si edhe lufta për të sjellë ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme rreth nesh.
Pikërisht për këtë arsye, misioni im i radhës është Karposhi.
Dua që Karposhi të jetë një komunë që zhvillohet me dije, me etikë dhe me vizion.
Një komunë që sërish frymon lirshëm përmes kulturës, kujdesit dhe respektit ndaj qytetarëve.
Një komunë që i dëgjon nevojat e njerëzve dhe krijon kushte për jetë të shëndetshme, rritje dhe një të ardhme më të mirë.
Karposhit sot i nevojitet energji e re.
Ta ringjallim Karposhin – së bashku. T’i kthejmë gjallërinë, kuptimin dhe drejtimin që e meriton.
Premtoj punë, sinqeritet dhe përkushtim.
Ju ftoj të bashkohemi rreth vlerave.
Ta bëjmë Karposhin një vend që frymëzon, një vend që jeton.
Ta ndërtojmë Karposhin me zemër, me dije dhe me vepra.
Ejani së bashku t’ia kthejmë pulsin Karposhit.
Faleminderit për besimin.