Fushata zgjedhore e kryetarit aktual të Komunës së Kumanovës dhe kandidatit të lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, po vazhdon me intensitet të lartë dhe me përkrahje gjithnjë në rritje nga qytetarët.
Mbrëmjen e djeshme, Dimitrievski hapi zyrtarisht shtabin zgjedhor në fshatin Lopatë, ku u prit me entuziazëm dhe energji pozitive nga banorët. Ai theksoi se koncepti qytetar që përfaqëson bashkon të gjithë qytetarët, pa dallim, për një të ardhme më të drejtë, të zhvilluar dhe të sigurt për të gjithë.
“Energjia pozitive që po ndjejmë në çdo vendbanim tregon qartë se qytetarët janë të gatshëm për ndryshim të vërtetë. Po bashkohemi rreth një vizioni të përbashkët,” u shpreh Dimitrievski.
Pas Lopatës, Dimitrievski vazhdoi me hapjen e shtabeve edhe në fshatin Reçanoc dhe në fshatin Lubodrag, ku u mirëprit me mbështetje të ngrohtë dhe entuziazëm. Në çdo takim me qytetarët, ai theksoi se ZNAM nuk është një parti, por një lëvizje qytetare, që vjen nga vetë njerëzit dhe punon për interesin e tyre të drejtpërdrejtë.
“Mbështetja është e madhe dhe ndihet në çdo cep të Kumanovës. Ne nuk premtojmë me fjalë, por dëshmojmë me vepra,” shtoi ai.
Maksim Dimitrievski garon për një mandat të ri si kryetar i Kumanovës, duke kërkuar vazhdimësinë e projekteve dhe reformave që, siç thekson ai, kanë vendosur themele të forta për një Kumanovë moderne, gjithëpërfshirëse dhe të drejtë për të gjithë qytetarët.