Me një ceremoni solemne dhe shfaqjen premierë të filmit ndërkombëtar “Man of the House”, të regjisorit Andamion Murataj, do të hapet edicioni i 14-të i Tetova International Film Festival – ODA.
Ky festival, tashmë një ngjarje e rëndësishme kulturore për qytetin e Tetovës dhe më gjerë, do të zhvillohet nga data 15 deri më 21 Shtator 2025, në hapësirat e Qendrës së Kulturës “Ilo Anteski – Smok”.
Filmi hapës, një bashkëprodhim mes Shqipërisë, Italisë, Austrisë, Kroacisë, Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, me kohëzgjatje 104 minuta, premton të sjellë emocione të forta dhe mesazhe të thella për audiencën vendase dhe ndërkombëtare.
Ceremonia e hapjes do të mbahet të hënën, më 15 Shtator, në ora 19:30, ku pritet të marrin pjesë artistë, kineastë, personalitete të kulturës dhe adhurues të kinemasë nga mbarë rajoni.
Organizatorët ftojnë publikun dhe dashamirësit e artit të shtatë të bëhen pjesë e këtij festivali që, vit pas viti, vazhdon të jetë një platformë e fuqishme për promovimin e filmit dhe kulturës në nivel lokal dhe ndërkombëtar.