Maran befason me listën e Shqipërisë, një emër i ri dhe disa mungesa të mëdha!

Përzgjedhësi i Kombëtares së Shqipërisë, Rolando Maran, ka publikuar këtë të premte listën e 27 futbollistëve të grumbulluar për dy ndeshjet e fundit të Ligës së Kombeve, kundër Finlandës dhe Bjellorusisë.

Risia kryesore është ftesa e parë për mbrojtësin e Dinamo City, Ysni Ismaili, i cili do të ketë mundësinë të bashkohet për herë të parë me ekipin kombëtar.

Megjithatë, vëmendjen e tërheqin edhe disa mungesa të rëndësishme në listën e trajnerit italian.

Armando Broja, Thomas Strakosha dhe Medon Berisha nuk janë grumbulluar për shkak të problemeve fizike, ndërsa jashtë listës kanë mbetur edhe Jasir Asani, Nedim Bajrami dhe Indrit Tuci, për arsye teknike.

Ndërkohë, në Kombëtare është rikthyer mesfushori Qazim Laçi.

Maran ka marrë në konsideratë formën aktuale dhe minutazhin e futbollistëve, duke synuar të ketë në dispozicion një skuadër sa më të përgatitur për dy përballjet vendimtare.

Në listë janë përfshirë emra të rëndësishëm si kapiteni Berat Gjimshiti, Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Ernest Muçi, Arbër Hoxha, Rey Manaj, Myrto Uzuni dhe Mirlind Daku.

Shqipëria do ta zhvillojë ndeshjen e parë më 12 nëntor, kundër Finlandës, në stadiumin “Air Albania” në Tiranë, duke filluar nga ora 20:45.

Tri ditë më vonë, më 15 nëntor, kuqezinjtë do të përballen me Bjellorusinë në stadiumin “Illovszky Rudolf” në Budapest, nga ora 18:00.

Këto dy ndeshje janë vendimtare për objektivin e Shqipërisë që ta përfundojë grupin në vendin e parë dhe të sigurojë ngjitjen në Ligën B.

Aktualisht, kuqezinjtë kryesojnë Grupin C1 me nëntë pikë, ndërsa Bjellorusia dhe Finlanda kanë nga shtatë pikë.

Grumbullimi i Kombëtares do të nisë të hënën, kur futbollistët do të fillojnë përgatitjet për dy sfidat e fundit të kësaj faze.

Lista e plotë e Shqipërisë:

Portierë: Etrit Berisha, Alen Sherri, Mario Dajsinani.

Mbrojtës: Berat Gjimshiti, Arlind Ajeti, Ardian Ismajli, Klisman Cake, Samuele Sina, Elseid Hysaj, Ysni Ismaili, Mario Mitaj, Stavro Pilo, Naser Aliji.

Mesfushorë: Kristjan Asllani, Ylber Ramadani, Qazim Laçi, Juljan Shehu, Luis Hasa, Feta Fetai, Klevi Qefalija, Ernest Muçi, Arbër Hoxha, Taulant Seferi.

Sulmues: Rey Manaj, Myrto Uzuni, Mirlind Daku, Cristian Shpendi.

Burimi: botasot.info