GazetaMax
LAJME

Mariçiq: Është reale që shpejtë të bëhemi anëtare e BE-së

Shkup, 19 shtator – Është reale që të bëhemi anëtare e BE-së me zgjerimin e ardhshëm vetëm nëse qëndrojmë me përkushtim pas këtij projekti shtetëror, por nuk është e mundur të thuhet se kur saktë do të ndodhte kjo, ndërsa për këtë përgjigje nuk kanë as shtetet anëtare, sepse ky është proces i cili varet nga përmbushja dhe progresi në reforma i vendeve negociuese, konsideron zëvendëskryeministri përgjegjës për Çështje Evropiane, Bojan Mariçiq.

“Domethënë varet nga ne dhe nga gatishmëria jonë që t’i zbatojmë reformat. Metodologjia e re është vendosur pikërisht në atë mënyrë, të kërkojë angazhim më të madh nga vendet negociuese, por nga ana tjetër jep mundësi për shpejtësi dhe dinamikë të procesit. Për këtë besoj se me një qëllim të përcaktuar qartë para nesh dhe vullnet politik dhe përqendrim të fuqishëm në reforma mund të ecim me tempo të mirë përpara. Konsideroj se viti 2030 si datë është vendosur mirë dhe duhet të jetë motiv i cili do të na qojë përgjatë procesit dhe në afatin e dhënë me sukses ta përfundojmë procesin e bisedimeve dhe Maqedonia e Veriut të bëhet anëtare e plotfuqishme e BE-së”, tha Mariçiq në një intervistë për “Lokalno”.

Sipas tij, edhe Qeveria edhe Kuvendi duhet të qëndrojnë me përgjegjësi para detyrimit tonë dhe t’i rrumbullakojnë ndryshimet kushtetuese, të cilat bëhen me dinamikë dhe qëllim të qartë – hyrje në kapitujt e bisedimeve, reforma evropiane, fonde evropiane dhe hyrje në BE si qëllim kryesor.

“Me atë hap politik, institucional dhe kushtetues fitojmë shumë, nuk humbim asgjë. Përfshirja e bullgarëve, malazezëve dhe kroatëve në Kushtetutë nuk mund ta dëmtojë kurrsesi vendin tonë, njëjtë siç nuk kemi kurrfarë dëmi nga ajo që në kushtetutë ka të deklaruar shqiptarë, serbë, turq, romë, vllahë, boshnjakë. Si Qeveri jemi të gatshëm, ndërsa është edhe detyrim i yni, të zhvillojmë dialog me të gjitha grupet parlamentare dhe të bëjmë atmosferë e cila do të mundësojë që të ndodhin ato ndryshime”, tha Mariçiq.

Ai shpreh bindje se deri në përfundimin e procesit të skriningut, vendi do t’i zbatojë edhe ndryshimet kushtetuese të parapara me “propozimin francez” me qëllim që të mund t’i vazhdojë bisedimet nëpër klasterë, duke shtuar se pret që edhe disa deputetë të VMRO-DPMNE-së t’i mbështesin ndryshimet e Kushtetutës, sepse, siç tha, njeh anëtarë të partisë të cilët nuk kanë kurrfarë dileme sa i përket orientimit strategjik të vendit dhe sa i përket rrugës së trasuar evropiane.

“Ata janë një parti që është anëtare e Partisë Popullore Evropiane dhe nga atje shpesh marrin qortime dhe kritika për faktin se lidershipi i DPMNE-së shpeshherë ka efekte të dëmshme në integrimin evropian të vendit. Nëse ka një krah evropian në VMRO-DPMNE apo është një parti evropiane që është pushtuar me vite nga liderë jodemokratikë, anëtarët e asaj partie do të duhet të përgjigjen vetë. Mund të them se populli maqedonas dhe të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë nevojë për parti të përgjegjshme, demokratike dhe evropiane si në qeveri ashtu edhe në opozitë, të cilat së bashku e çojnë vendin përpara, dhe jo një opozitë që për interes personal dëshiron ta dërgojë vendin në pasiguri”, shtoi zëvendëskryeministri.

Sa i përket kërkesës së VMRO-DPMNE-së për referendum për Marrëveshjen me Bullgarinë, Mariçiq potencoi se e drejta ndërkombëtare dhe marrëveshjet ndërkombëtare janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe ato nuk mund të ndryshohen ose deratifikohen me ligj vendor.

“Nuk është e drejtë, as nga pikëpamja politike e as nga shtetërore, që VMRO-DPMNE të hyjë në manipulime me qytetarët për tema të ndjeshme ndërkombëtare dhe të sfidojë rrugën evropiane të vendit përmes iniciativave të referendumit fallik, të njohura paraprakisht se ata nuk mund të kenë sukses. Jam i bindur se ata që e kanë bërë pyetjen e referendumit për Hristijan Mickoskin e kanë ditur korrelacionin ndërmjet të drejtës ndërkombëtare dhe asaj vendore”, shtoi Mariçiq.

Në lidhje me deklaratat e ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani se Rusia ka shpenzuar para që të ndikojë ndaj politikës maqedonase dhe sa i përket përshtypjes se te disa qytetarë po rritet mbështetja për politikat ruse dhe kineze në krahasim me ato perëndimore, Mariçiqi tha se ne gjithmonë kemi qenë të mbështetur nga Perëndimi edhe në kohë të çlirimeve tona nga okupimet edhe në kohë të krijimit të shtetit tonë edhe sot dhe se populli ynë me shekuj është në rrugën evropiane.

“Maqedonia e Veriut është vend demokratik dhe evropian dhe kjo nuk është kështu sepse kështu vendosi kjo qeveri, por sepse maqedonasit dhe të gjithë qytetarët me të cilët jetojmë këtu kanë qenë në atë anë që nga kohrat e lashta, si nga aspekti i gjeografisë, politikës, vlerave dhe gjeostrategjisë . Sot, ajo rrugë për ne do të thotë standarde serioze, respektim serioz i lirive të njeriut, të drejta të garantuara për çdo individ dhe çdo bashkësi, detyra të sakta, përgjegjësi dhe afate për çdo institucion për të përmirësuar shërbimet ndaj qytetarëve, fonde të mëdha evropiane për investime në infrastrukturë dhe sistem në vend dhe respekt ndërkombëtar për veçoritë tona, si komb maqedonas dhe si shtet Maqedonia e Veriut me të gjitha karakteristikat dhe diversitetin e vet”, theksoi Mariçiq.

Ai shtoi se vendi asnjëherë nuk e ka ndërprerë bashkëpunimin me Lindjen, po kjo nuk është anë e cila mund të na sigurojë reforma, liri, të drejta, prosperitet ekonomik dhe fonde evropiane, veçanërisht nëse merret parasysh se Rusia me pushtimin ndaj Ukrainës shkeli të gjitha vlerat civilizuese për të cilat angazhohemi aq fuqishëm si komb dhe si shtet.

“Pikërisht për shkak të gjithë kësaj, jam i bindur se Maqedonia e Veriut asnjëherë nuk do të tërhiqet nga fqinjësia e mirë, miqësia dhe bashkëpunimi, gjegjësisht asnjëherë nuk do të heqë dorë nga rruga evropiane e trasuar qartë e cila sjell stabilitet, siguri dhe jetë më të mirë për popullin tonë”, theksoi zv.kryeministri Mariçiq.

Related posts

Gjorçev: Klubi bullgar do ishte një urë miqësie nëse do merrte emrin e njerëzve me kapacitet të padiskutueshëm demokratik

e-max

Taravari pritet nga Taulant Balla dhe grupi parlamentarë i PS

e-max

Gabimisht është arrestuar personi për kërcënime me bomba, qenka djalë shembullor (Foto)

e-max