GazetaMax
Lajme

Mariçiqi nga Brukseli: Fillimi i suksesshëm i skriningut dypalësh është nxitje për progres më të shpejtë në reforma

Shkup, 11 nëntor – Kishim fillim të shkëlqyer të skriningut dypalësh, me prezantime të qarta dhe të përgatitura mirë, të njohura nga ekspertët e Komisionit Evropian, deklaroi zëvendëskryetari përgjegjës për Çështje Evropiane dhe kryenegociator me Bashkimin Evropian, Bojan Mariçiq, pas përfundimit të pjesës së parë të mbledhjes dypalëshe në Bruksel për kapitullin 5, “Furnizime publike”, që është në kuadër të Klasterit 1, “Vlera fundamentale”.

“Krahas prezantimeve të hollësishme të cilat i bëmë në sferën e kornizës ligjore dhe institucionale për Furnizime publike të Republikës së Maqedonisë së Veriut u përgjigjëm edhe në pyetje të Komisionit dhe treguam nivel të lartë të gatishmërisë. Kjo është për neve nxitje që të vazhdojmë më tutje edhe më shpejtë dhe më me sukses që t’i përfundojmë mbledhjet e skriningut. Kjo do të na japë edhe një pasqyrë të plotë se sa jemi të suksesshëm, ku kemi edhe shumë punë, dhe në cilin afat kohor mund t’i përfundojmë bisedimet. Kemi shumë energji, kemi shumë njohuri dhe punojmë shumë që të arrijmë qëllimin e projektuar – anëtarësimin në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030”, theksoi zëvendëskryeministri Mariçiq.

Si kryenegociator me Bashkimin Evropian, Mariçiqi e kryeson ekipin negociator nga Maqedonia e Veriut në mbledhjen e parë të skriningut dypalësh, në të cilën të pranishëm janë edhe zëvendësnegociatorja dhe sekretare shtetërore Drita Abdiu Halili dhe Zulfi Ismaili, ambasador në Misionin e Përhershëm të Maqedonisë së Veriut pranë BE-së me seli në Bruksel.

Anëtarët e Grupit të punës për Kapitullin 5, në mbledhjen e skriningut dypalësh, ua prezantuan ekspertëve të Komisionit Evropian kornizën legjislative të Maqedonisë së Veriut dhe nivelin e harmonizimit me të drejtën e BE-së në këtë kapitull të procesit të bisedimeve.

Temat dhe fushat e trajtuara në këtë kapitull kanë të bëjnë me parimet e përgjithshme të furnizimeve publike, rregullimin e furnizimeve publike në sektorin e përgjithshëm, në fushat e politikës sociale, mjedisit, ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, inovacionit, mbrojtjes, koncesioneve, furnizimit të barnave, furnizimet publike elektronike, si dhe aspektet ndërkombëtare në këtë fushë. Institucion kompetent për këtë kapitull është Ministria e Financave, përkatësisht Byroja e Furnizimeve Publike, ndërsa grupin punues e udhëheq këshilltari shtetëror në Byronë e Furnizimeve Publike, Aleksandar Argirovski.

Maqedonia e Veriut, edhe pse bashkë me Shqipërinë i filloi bisedimet me Bashkimin Evropian dhe bashkë i ndjekin mbledhjet sqaruese të skriningut, për skriningun dypalësh ndahen dhe secili vend vazhdon vetë që ta udhëheqë këtë fazë të skriningut.

Sipas kalendarit të Komisionit Evropian, procesi i skriningut për Republikën e Maqedonisë së Veriut është paraparë që të zgjasë deri në fund të nëntorit të vitit 2023.

Related posts

Gjendet një trup i pajetë në Vardar, me gjasa bëhet fjalë për personin që dje kërceu në lumë

Gazetamax.mk

Reparti Gjinekologjik dhe obstetrik tek “Ferid Murad” me hapësira të reja, Ahmeti: Po modernizojmë spitalet

Gazetamax.mk

Mickoski nuk pranon duel me Arsovskën, thotë se e ndjekë nga afër punën e saj

Gazetamax.mk