Tetovë, 8 Gusht – Iniciativa qytetare “Më mirë për Tetovën”, të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet e 20 gushtit për Këshillin e Komunës së Tetovës, sot në konferencë për shtyp e kanë rikujtuar ngjarjen tragjike në spitalin moduluar, nga zjarri në të cilin humbën jetën 14 pacientë, duke thënë se ende nuk ka përgjegjësi për këtë rast tragjik.
“Në njërën anë organet e drejtësisë lëshojnë raporte të cilat janë në kundërshtim me deklaratat e dëshmitarëve, kurse në anën tjetër organet blejnë kohë duke e stërzgjatur procesin për gati një vit. Në ndërkohë përgjegjësit e kësaj tragjedie lëvizin lirshëm në mesin tonë”.
“Kujtimi i zjarrit të kobshëm në Spitalin e Tetovës është ende i freskët në memorjen e tetovarëve, prandaj kjo lëndë nuk duhet të lihet në harresë, dhe të mbahet në sirtarët e prokurorisë dhe gjyqësorit si shumë raste tjera”, thanë nga MMPT.
Ata gjithashtu theksuan se do të angazhohen për depolitizimit të prokurorisë dhe gjykatave, dhe kulturës së pandëshkueshmërisë.
Ndryshe, në përbërjen e fundit të Këshillit të Komunës së Tetovës, kjo iniciativë qytetare ishte e përfaqësuar me dy këshilltarë.