GazetaMax
Lajme

Mediu në Forumin e NATO: Vakumi në Ballkan, mundësi për influencë ruse, por edhe kineze

Uashington, 10 Dhjetor – Në takimin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që u mblodh në SHBA, vëmendja kryesore ishte rreth zhvillimeve në Ukrainë, agresionit rus dhe pasojave që po krijon në Evropë e më gjerë. Aty u theksua se është detyrim që të mposhtet regjimi i Putinit dhe garantimi i lirisë dhe integritetit territorial të Ukrainës.

Përfaqësues të lartë të Pentagonit dhe Departamentit të Shtetit, shprehën qartë mbështetjen e Amerikës dhe NATO-s ndaj Ukrainës. Asistent Sekretarja Donfried dhe drejtori i lartë i Pentagonit Ëinternitz, shprehën edhe njëherë qartë se jo vetëm Rusia, por edhe Kina po kthehet në një kërcënim të ri.

Në komentin dhe pyetjet e tij, z. Fatmir Mediu, si pjesëtari i delegacionit të Parlamentit shqiptar, të drejtuar nga znj. Mimi Kodheli, theksoi se vakumi i krijuar në Ballkan, ka krijuar mundësi për prezencë dhe influencë ruse, por edhe kineze, nëpërmjet iniciativës Road and Blet dhe 17+1.

Z. Mediu ishte i ftuar në takimin e Forumit të Inteligjencës, të organizuar nga kongresmeni Pittinger dhe senatori Tom Tillis. Në këtë takim po ashtu u trajtuan qartësisht sfidat e sigurisë nga Rusia, Kina, Irani dhe të tjerë.

Ish-këshilltari për sigurinë, John Bolton, në përgjigje të pyetjes së z. Mediu, se ç’duhet të bëjë NATO-ja dhe SHBA-ja në lidhje me sulmet kibernetike të Iranit mbi Shqipërinë, theksoi se ka ardhur koha për shkak se sulmet kibernetike janë tashmë të mirëfillta, të karakterit të sigurisë dhe sovranitetit, në kuadër të artikullit 5 të NATO-s për mbrojtjen kolektive, të përcaktohet me qartë se kush quhet akt lufte.

Senatori Tillis vlerësoi qëndrimin e Shqipërisë ndaj Iranit dhe njëkohësisht deklaroi mbështetjen e Senatit ndaj Shqipërisë në këtë përballje.

Në diskutim me senatorin Tillis, senatorin Inhofe, Cornyn, shefat e stafit të senatorit Rubio dhe Menendez si dhe në bashkëpunim të ngushtë me kongresmenët Sessions dhe Aderholt, u ra dakort që rreth fundit të janarit, në bashkëpunim me z. Mediu, të organizojnë një forum sigurie me pjesëmarrje të deputetëve nga Evropa Juglindore për influencat e Rusisë dhe Kinës, por njëkohësisht dhe sfidat për luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në rajonin e Ballkanit.

Related posts

Bytyqi: Masat e reja për ballafaqim me krizën, menjëher pas rebalancit të buxhetit

Gazetamax.mk

Moti sot i ndryshueshëm

Gazetamax.mk

Osmani tregon kur do të komentojnë propozimin francez për heqjen e vetos

Gazetamax.mk