GazetaMax
Teknologji

Merriam-Webster: “Polarizim”, fjala e vitit 2024

Rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të këtij vitit në Shtete e Bashkuara për një pjesë të vendit dhe botës ishin tronditëse, ndërsa për pjesën tjetër një arsye për të festuar. Kështu që ndoshta nuk është befasi që fjala e vitit e zgjedhur nga redaktorët e fjalorit Merriam-Webster është fjala “polarizim”. Sipas ekspertëve, kjo është një fjalë me shumë kuptime shkencore dhe metaforike, që këtë vit më së shumti është përdorur për të theksuar mosmarrëveshjet e forta mes dy grupimeve politike rivale në Shtetet e Bashkuara.

Fjalët e vitit, që zgjedh fjalori Meriam-Webster, zakonisht përdoren për të pasqyruar një nga ngjarjet kryesore të vitit. Për shembull, këtë vit zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara ishin kaq përçarëse, saqë shumë votues amerikanë shkuan në qendrat e votimit me ndjenjën se kandidati rival ishte një kërcënim ekzistencial për vendin.

“Fjala e vitit për vitin 2024 nga fjalori Merriam-Webster është polarizimi. Është e qartë se ky ishte një vit i rëndësishëm zgjedhjesh dhe kjo çështje ka mbizotëruar në këtë vit. Fjala polarizim është një term që është përdorur nga të gjithë”, thotë redaktori i fjalorit Merriam-Webster Peter Sokolowski.

Sipas një sondazhi të agjencisë së lajmeve Associated Press me mbi 120,000 votues, rreth 8 në 10 votues, që votuan për kandidaten demokrate Kamala Harris ishin shumë ose disi të shqetësuar se pikëpamjet e republikanit Donald Trump ishin shumë ekstreme, ndërsa rreth 7 në 10 votues që mbështetën zotin Trump kishin të njejtin mendim për zonjën Harris.

Në fjalorin Merriam-Webster fjala “polarizim” ka përkufizime shkencore dhe metaforike. Ajo më së shpeshti përdoret për të theksuar “mosmarrëveshjet e forta midis fraksioneve ose grupimeve kundërshtare”. Kompania amerikane Merriam-Webster, e cila merr 100 milionë klikime në muaj në faqen e saj të internetit, zgjedh fjalën e vitit bazuar në të dhënat, vëzhgimin e rritjes së kërkimeve dhe përdorimit të saj.

Zgjedhja e vitit të kaluar ishte fjala “autentik”. Fjala e këtij viti vjen në një kohë kur një pjesë e madhe e popullatës po përballet me vështirësi në përpjekjet për të arritur konsensus mbi atë që është autentike.

“Mendoj se fjalori është një lloj platforme për kuptimin e fjalëve në një epokë lajmesh të rreme dhe faktesh alternative, ku mund të thoni çfarë të doni mbi vlerën e kuptimit të një fjale. Të paktën fjalori mund ta masë kuptimin e një fjale në një mënyrë shumë specifike për të gjithë”, thotë Peter Sokolowski, redaktor i fjalorit amerikan Merriam-Webster.

Fjala “polarizim” filloi të përdorej në vitet 1800, jo gjatë epokës së Rilindjes, siç ndodhi me shumicën e fjalëve shkencore me origjinë latine, thotë zoti Sokolowski. Një prej përdorimeve shkencore, sipas tij, ka të bëjë me elektricitetin, që funksionon me dy pole të kundërta.

Redaktori i fjalorit Meriam-Webster thotë se kjo është një “fjalë mjaft e re”, në kontekstin e gjuhës angleze. Ai shton se fjala “i polarizuar” i jep intensitet një fjale tjetër dhe në Shtetet e Bashkuara përdoret më shpesh për të përshkruar marrëdhëniet racore, politikën dhe ideologjinë./VOA

Burimi: botasot.info

Related posts

ВИДЕОЛОТАРИЈА КАСИНОС АВСТРИЈА ОДГОВОРЕН ПРИРЕДУВАЧ НА ИГРИ НА СРЕЌА

Gazeta Max

OpenAI lançon një version të “lehtë” të Deep Research në ChatGPT

Gazeta Max

Apple synon të prodhojë shumicën e iPhone-ve në Indi

Gazeta Max