Zëvendëskryeministri i parë dhe kandidati i koalicionit qeverisës VLEN për kryetar të Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, këtë të dielë e kaloi në Çarshin e vjetër, ku takoi qytetarë dhe personalitete të kulturës.
Në një ditë qetësie, kur tregu pushoi, Mexhiti ka thrksuar se Çarshia mbetet tempulli i shpirtit të Çairit, një vend ku arti, historia dhe jeta e përditshme bashkohen. Takimi i tij më i veçantë ishte me profesorin dhe piktorin e njohur, Imer Bajrami, i cili prej dekadash është bërë simbol i gjallë i Çarshisë përmes pikturave të tij që ruajnë ngjyrat, dritën dhe shpirtin e këtij vendi historik.
“Çarshia nuk është thjesht një vend tregtie, por një qendër ku frymon arti dhe trashëgimia jonë. Faleminderit Çarshisë për magjinë e përditshme, faleminderit për nderin që më jep të punoj e t’i shërbej,” është shprehur Mexhiti.
Me këtë vizitë, sipas kandidatit të VLEN-it u përcoll mesazhi se Çairi do të vazhdojë të jetë një hapësirë ku ruhet identiteti kulturor, ku arti vlerësohet dhe ku qytetarët ndihen krenarë për trashëgiminë e tyre. Mexhiti gjithashtu ka theksuar se vizioni i tij është që Çarshia të mbetet jo vetëm krenari e Shkupit, por edhe frymëzim i përjetshëm për të ardhmen e gjithë Çairit.