GazetaMax
Lajme

Mexhiti: Kongresi teatër i BDI-së kaloi pa llogaridhënie, me riciklim të emrave të vjetër dhe farsë politike

Kryetari i Komunës së Çairit dhe një nga liderët e koalicionit qeverisës VLEN, Izet Mexhiti, ka reaguar pas mbajtjes së kongresit të mbajtur të BDI-së opozitare, duke e cilësuar atë si një “kongres teatër” të organizuar pas, siç thotë ai, një debakli të rëndë zgjedhor.

Në një reagim publik në facebook, Mexhiti thekson se në këtë kongres nuk u thirr askush në përgjegjësi politike dhe nuk pati asnjë reflektim për humbjen e zgjedhjeve. Sipas Mexhitit, në vend të analizës serioze dhe ballafaqimit me përgjegjësinë, BDI shpërndau pamflete me “tema madhore”, me qëllim të mbulimit të dështimit dhe shmangies së çështjes thelbësore, kush mban përgjegjësi për humbjen.

Mexhiti vlerëson se kongresi shfaqi riciklim të figurave të vjetra politike, të cilat u prezantuan me një “paketim të ri”, duke e quajtur reformë një proces që ai e përshkruan si centrifugim formal.

“Një rrobë e larë nuk është një rrobë e re”, ka shkruar Mexhiti, duke nënvizuar se ndryshimet brenda partisë së Ahmetit janë vetëm sipërfaqësore.

Mexhiti gjithashtu ka kritikuar ashpër procesin e delegimit të delegatëve, duke e quajtur atë kontrovers dhe pa transparencë në nominim dhe kandidim. Sipas Mexhitit, në kushte të tilla, kongresi humb çdo legjitimitet dhe shndërrohet në farsë.

Në fund, Mexhiti ka shkruar se pa llogaridhënie reale dhe përgjegjësi politike, çdo pretendim për reformë mbetet vetëm pro forma, ndërsa kongreset e tilla, sipas tij, nuk janë gjë tjetër veçse “teatër me kukulla”.