GazetaMax
Lajme

Mile Janakieski bëhet bashkëpronar i “Smart Invest Group”, konsorcium ndërtimor me fond 30 milionë euro

Ish-ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakieski, është bërë një nga pronarët e konsorciumit ndërtimor “Smart Invest Group”, i cili bashkon disa investitorë të njohur nga rajoni i Pelagonisë për ndërtimin e komplekseve banesore.

Nga java e kaluar, ish-bashkëpunëtori më i afërt i ish-kryeministrit Nikola Gruevski ka hyrë në grupacion në vend të investitorit të ndërtimit Krste Nedelkovski nga Manastiri, i njohur si pronar i kompanive “Konkrit” dhe “BV Inxhinering”.

Partnerët e rinj të biznesit të Janakieskit do të jenë biznesmenët e njohur nga Manastiri: Dragi Filevski (Mario Mateo), Pece Taleski (OHO Production), Filip Stojçevski (Çiflik), Vladimir Hristovski (Grafo Prom) dhe Isni Abazi (One Finance).

Janakieski vitin e kaluar doli nga burgu pas gjashtë vitesh, pasi vuajti dënimin për rastin “Titanik”, që lidhej me parregullsitë zgjedhore dhe për të cilin pranoi fajësinë. Fillimisht u dënua me 4 vite e gjysmë, por Apeli ia uli në 3 vite e gjysmë. Në mars të vitit të kaluar gjykata i dha lirim me kusht.

Ai ka qenë i akuzuar edhe në rastet “Toplik” dhe “Talir”, të cilat u parashkruan pas ndryshimeve në Kodin Penal. Këtë vit, Janakieski u amnistua edhe për rastin “Organizatorët e 27 Prillit”, ndërsa vazhdon të jetë i akuzuar në lëndën “Shkallët Spanjolle”, e cila ende nuk ka epilog.

“Smart Invest Group” në faqen e saj zyrtare informon se aktualisht ka një fond investimesh prej 30 milionë eurosh dhe po ndërton ndërtesa banimi në lagjen elitare “Zlaten Rid”, në Shirok Sokak dhe lokacione tjera atraktive në Manastir, si dhe në Kumanovë e Shkup, ku është planifikuar ndërtimi i një kompleksi me 128 banesa në Momin Potok (Karposh).

Jozyrtarisht, për ish-ministrin thuhet se është konsulent për tokë ndërtimore për disa kompani të fuqishme ndërtimore. Koncepti i punës së “Smart Invest Group”, e themeluar dy vite më parë, është mbledhja e kapitalit nga investitorë për projekte të ardhshme ndërtimore.

Në faqen zyrtare të kompanisë theksohet se “Smart Invest Group” është një grupacion i fuqishëm investimesh që vepron në segmente të ndryshme të biznesit dhe shoqërisë maqedonase, duke përfshirë ndërtimtarinë, teknologjinë, financat, tregtinë, turizmin, median, marketingun, industrinë e shtypshkronjës dhe të tjera, duke bashkuar sipërmarrës me përvojë mbi dy dekada.

Related posts

Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, mbrojtja paraqet shqetësime lidhur me zhvillimin e seancave të mbyllura

Gazeta Max

Crvenkovski: Qytetarët le të jenë të përgatitur, bllokada nga Bullgaria do të zgjatë ende më shumë

Gazeta Max

Suzi Dajkin: Pavarësia e gjyqësorit dhe bashkëpunimi me sektorin civil janë kyçe në luftën kundër korrupsionit

Gazeta Max