GazetaMax
Lajme

Miloshoski: “Strategjia Maqedonia 2030” e VMRO-së si një kapitull i ri për stabilitet dhe zhvillim të shtetit

Strategjia “Kapitulli i ri – Maqedonia 2030”, të cilën VMRO-DPMNE e miratoi në Kongresin e djeshëm në Kavadar, paraqet një vizion për një Maqedoni moderne, stabile dhe të orientuar drejt Evropës, me drejtim të qartë politik dhe zhvillimor për dekadën e ardhshme, deklaroi sot në konferencë për shtyp deputeti i VMRO-DPMNE-së, Antonio Miloshoski.

Sipas tij, strategjia mbështetet në idenë se shteti duhet të dalë nga cikli i vendimeve afatshkurtra dhe të vendosë një plan dhe sistem afatgjatë të menaxhimit, që krijohet përmes institucioneve me integritet të fortë, ekonomisë konkurruese dhe shoqërisë të bazuar në vlera dhe vetëbesim kombëtar.

“Dokumenti e pozicionon VMRO-DPMNE-në si forcë politike të gatshme të marrë përgjegjësinë dhe rolin për këtë lidership shtetëror. Dhe, sigurisht, ky nuk është një listë dëshirash parazgjedhore, por dokument me objektiva të qarta që do të jenë trajektorja kombëtare për 10–15 vitet e ardhshme”, tha ai.

Miloshoski theksoi se ambicia kryesore është që deri në vitin 2030, Maqedonia të bëhet një vend që krijon stabilitet, vlerë të shtuar ekonomike dhe pjekuri institucionale, me identitet kombëtar që respektohet dhe nuk kushtëzohet nga politika ditore.

Korniza strategjike 2025–2030 përfshin gjashtë shtylla kryesore
1. Siguria shtetërore

Kjo nënkupton ushtri moderne, polici bashkëkohore, mbrojtje kombëtare kibernetike dhe sistem për përballje me kërcënime hibride. Siguria është baza, dhe ARM dhe MPB duhet të jenë maksimalisht të përgatitura.

2. Konkurrueshmëria ekonomike

Kjo do të thotë braktisje e modelit të fuqisë punëtore të lirë dhe krijim i një ekonomie konkurruese të bazuar në dije, vlerë të shtuar dhe inovacione teknologjike. Nevojitet mbështetje për kompanitë vendore, sistem tatimor stabil, tranzicion energjetik i gjelbër dhe kushte të reja për investime të huaja.

3. Shteti i së drejtës

Qëllimi është gjyqësi e pavarur, prokurori e depolitizuar, administratë profesionale dhe luftë sistemike kundër korrupsionit përmes kontrollit të digjitalizuar të rrjedhës së parave dhe të çështjeve pasurore.

4. Politikat demografike

Kërkohet mbështetje reale për të rinjtë, programe banimi, politika për kthimin e diasporës dhe kujdes dinjitoz për të moshuarit. Qëllimi është të sigurohet burim i mjaftueshëm njerëzor për zhvillimin e ekonomisë dhe shtetit.

5. Integrimi evropian dhe politika e jashtme

Partneritete me “vija të kuqe” të qarta janë pjesa më e rëndësishme. Partia është e përcaktuar për BE-në si partner i barabartë, pa kushtëzime bilaterale që do të prekni identitetin apo vetësinë kombëtare të popullit maqedonas dhe të shtetit.

6. Arsimi, kultura dhe identiteti

Duhet të investohet në programe moderne, digjitalizim në kulturë dhe arsim, mbështetje për shkencën, mbrojtje të gjuhës maqedonase dhe promovimin e saj. Pa kulturë dhe arsim të fortë, nuk mund të ketë shoqëri të fortë.