Ministri Ferati në Gjermani diskuton për Interkulturalizmin dhe kohezionin social: Përvojat e Ballkanit Perëndimor do të përfshihen në strategjinë 2027–2032

Ministri për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive, Agon Ferati, ka marrë pjesë në Dialogun e Nivelit të Lartë për Ballkanin Perëndimor, i cili u mbajt në Qendrën Akademike Sankelmark, në Schleswig-Holstein të Gjermanisë.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Ferati ishte pjesë e një panel-diskutimi ku u shkëmbyen përvoja dhe praktika mes përfaqësuesve të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, si dhe ekspertëve nga Gjermania dhe Danimarka.

Ministri Ferati bëri të ditur se përvojat dhe praktikat e shkëmbyera gjatë këtij dialogu do të shërbejnë si kontribut i rëndësishëm në hartimin e Strategjisë Kombëtare për Interkulturalizëm dhe Kohezion Social 2027–2032, proces të cilin Ministria për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive tashmë e ka nisur.

Ai theksoi rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe shkëmbimit të përvojave në zhvillimin e politikave që synojnë forcimin e interkulturalizmit dhe kohezionit shoqëror.

Me këtë rast, Ferati shprehu mirënjohje për ekipin e GIZ-it në Maqedoninë e Veriut dhe kolegët në Gjermani për organizimin, mbështetjen dhe mundësinë për këtë shkëmbim të përvojave.