Xhuli Meçaj, motra e 45-vjeçarit Altin Meçaj, i cili u dhunua brutalisht në pragun e shtëpisë në fshatin Vjosë të Fierit pak ditë më parë, kërkon që të marrin fund spekulimet lidhur me ngjarjen dhe që drejtësia të bëjë punën e saj.
Altin Meçaj ka akuzuar bashkëfshatarin e tij, Fredi Lamaj, punonjës i policisë, si personin që e ka goditur, duke theksuar se dhuna ka ardhur pas një komenti që ai i kishte bërë në Facebook motrës së këtij të fundit.
E motra e të dhunuarit, në një prononcim për mediat, thotë se mesazhet e publikuara një ditë më parë nga vajza që thuhet se 45-vjeçari ka ngacmuar nuk janë të vërteta dhe se janë të sajuara. Sipas saj, kjo telenovelë duhet të marrë fund dhe se ajo që ata kërkojnë është që sajesat të mbyllen dhe që drejtësia të bëjë punën e saj.
“Dua që të ngre zërin për problemin që ka ndodhur në fshatin Vjosë, ku më është dhunuar babai dhe vëllai për një mesazh apo like që supozohet që është bërë. Jemi të shqetësuar se zonja dje ka bërë denoncim në polici për disa mesazhe që nuk janë të vërteta. Ne e ngremë zërin për këtë gjë. Vajza në fjalë duhet të jetë më koshiente për gjërat që flet. Se për disfatat që ka pësuar në jetë nuk do të thotë se duhet t’i pësojë familja ime. Jemi bërë si telenovelë. Mediat janë bërë gjithandej. Duam që kjo gjë të mbarojë sot e përgjithmonë. Nga shteti ne kërkojmë vetëm drejtësi.”, u shpreh ajo.
Ai theksoi gjithashtu se familja Meçaj gëzonte respekt maksimal për familjen Lamaj, dhe se nuk duhet që të kishin shkuar gjërat deri në këtë pikë. Sipas saj, nëse vajza është ndjerë e shqetësuar mund t’i kishte njoftuar ata në mënyrë që t’i kishin ardhur në ndihmë.
“Dua shumë që kjo gjë të mos vazhdojë. Respektin e kemi pasur në maksimum për familjen Lamaj. nNuk dimë se pse ndodhi se kishte zgjidhje. Vajza nuk kishte pse e bënte kaq të madhe por duhet të kishte bërë bllok kur të bezdisej ose të na njoftonte ne familjarëve dhe ishim të gatshëm të vinim në ndihmë. Të mos bëhemi më telenoveë dhe tallava. Të vazhdojë secili në jetën e tij dhe drejtësia të vërë gjërat në vendin e vet. Vëllai im është i bindur se çfarë flet”, deklaroi më tej ajo.
NGJARJA
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 10 janarit, ku Altin Meçaj u dhunua së bashku me të atin, Ylli Meçaj. Emigranti nga Gjermania pretendoi se ishte dhunuar nga disa persona, mes të cilëve efektivi nga Fredi Lamaj për shkak të një komenti që ai i kishte bërë motrës së këtij të fundit në Facebook. Babai i 45-vjeçarit rrëfeu pak ditë më parë ngjarjen për emisionin “Me zemër të hapur” në News 24.
“Isha në gjumë. Unë e dëgjova kur i thirrën Altin. Më thotë gruaja e thirrën djalin jashtë. Pa shkuar tek porta dëgjova ulërima dhe e pashë të rënë pa ndjenja. Ishte natë se dritat na i fikët. Dhe pak e pashë se po e qëllonin me shkelma bërtita shumë fort dhe i rashë përsipër djalit që ta mbroja, por më qëlluan fort. Më goditën në kokë, në spital më banë skaner, më qepën. Kam dhimbje…Policia në fillim nuk përgjigjej, më vonë erdhën. Na thanë që shkuan të shtëpia bënë foto, edhe fotografuan rrëkenë e gjakut. Njoh si fshatar babanë e tij, kanë qenë familje e mirë. Kam punuar në shtëpinë e tij. Dua të them që nuk e dimë se do bëhet. Duhet drejtësi”, tha ai.
MESAZHET E PUBLIKUARA
E motra e Fredi Lamajt reagoi duke mohuar këto pretendime dhe duke deklaruar se mesazhet e dërguara nga Meçaj kanë qenë shumë më tepër sesa një kompliment i thjeshtë. Ajo publikoi edhe disa biseda për të mbështetur deklaratat e saj.
