GazetaMax
Lajme

Mjekët e duan politikën apo shfrytëzohen nga partitë politike?

Shkup, 10 qershor – “çfarë kërkojnë mjekët në politikë?” është pyetja më e zakonshme që parashtrohet në vendin tonë në kohën kur mantel bardhët kanë vendosur pacientin ta shohin votues dhe votuesin ta shohin si pacient. Fenomeni i mjekëve në politikë krijon përshtypjen se me politikë mund të merret gjithkush, kjo krijon pasqyrë jo të mirë për politikën, pasi në politikë kërkohet profesionalizëm të mirëfilltë dhe jo mbetje që nuk kanë mund të bëjnë asgjë në jetë të merren me politikë. Në Maqedoninë e Veriut ky fenomen është shndërruar në normalitet, pasi në secilën parti ke mjek me bollëk, madje më e çuditshme se kjo është fakti se në Maqedoninë e Veriut shef i diplomacisë është mjek. Kjo flet për dy realitete të mundshme, për mungesën e kuadrove profesionale për të udhëhequr me institucione përkatëse si dhe për dështimin e mjekëve në profesionet e tyre, shkruan Zhurnal.

Përfshirja e mjekëve në politikë është një fenomen i cili është i përhapur në të gjithë botën, ku disa prej tyre kanë arritur majat e pushtetit politik duke marrë pozitat e kryeministrave apo edhe ministrave brenda një kabineti qeveritar. Irlanda ka një kryeministër mjek, i cili kishte ushtruar këtë profesion para se të futej në politikë, e ky është një nga shembujt e shumtë ku doktorët bëjnë politikë. Por, pavarësisht si përshkruhet ky fenomen është më se normale me institucionin  e shëndetësisë të udhëheq një mjek sepse i njeh problematikat dhe nevojat më mirë se sa një jurist apo politolog, kështu që mjekët të merren me politikë por aty ku e kanë vendin dhe përgatitjen profesionale që edhe kontributi të jetë më i madh e me rezultat. Megjithatë, ka aq shumë mjekë në politikë saqë në Ministrinë e Shëndetësisë nuk ka hapësirë për të gjithë, prandaj edhe shpërndahen në vende jo të duhura, që nuk kanë të bëjnë asgjë me mjekësinë.

Mjekët e duan politikën apo shfrytëzohen nga partitë politike?

Në Maqedoninë e Veriut partitë politike shqiptare por edhe ato maqedonase janë plot e përplot me mjek në të gjitha nivelet, kurse disa parti edhe udhëhiqen nga mjekët. Po i përmendim vetëm disa sepse të gjithë janë shumë: Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së, Ziadin Sela, kryetar i ASH-së, Arben Taravari, kryetar i Komunës së Gostivarit, Bujar Osmani, ministër i Punëve të Jashtme, Nexhbedin Karemani, ish aktiv në politikë, Imer Selmani, ish kandidat për president, Sadi Bexheti, ish kryetar Komune në Tetovë nga PDSH, Bekim Sali, kandidat për kryetar Komune në Çair nga Alternativa, Bekim Pocesta, kandidat për kryetar Komune në Dibër nga ASH, Hekuran Duka, kryetar aktual i Dibrës, Ilir Hasani, ish zëvendës ministër i Shëndetësisë nga BDI, Hysni Ismaili, ish ministër i Kulturës nga Alternativa, Albon Xhemaili, kryetar i Komunës së Bogovinës nga ASH, e shumë të tjerë.

Partitë politike në zgjedhjet e fundit lokale në vend kanë garuar më së shumti me kandidat që kanë qenë mjekë. Ata thonë se vendimtare për përcaktimin e kandidatëve, kanë qenë matjet që janë realizuar brenda partisë, përkatësisht cili kandidat është më i besueshëm tek elektorati. Në mesin e mjekëve shqiptarë të lartpërmendur shumë prej tyre edhe kanë qenë në garë për kryetar komunash, por nuk janë më ndryshe partitë maqedonase sepse edhe ata njëjtë kanë vepruar.

Në qytetin turistik të Ohrit, dy partitë më të mëdha maqedonase, ajo në opozitë VMRO DPMNE dhe Lidhja Social-Demokrate, kanë garuar me dy mjekë me Kirill Pecakovin dhe Konstadin Georgievskin. Beteja mes dy partive maqedonase në qytetin e Prilepit, gjithashtu është zhvilluar mes dy kandidatëve me profesion mjekë: ortopedin Borçe Jovsevskin nga VMRO DPMNE dhe kolegun e tij po ortoped, Ilija Jovanovskin nga Lidhja Social-Demokrate.

Agjencitë që merren me matjen e opinionit publik, thonë se mjekët janë personat më të popullarizuar në mesin e qytetarëve, për shkak të kontakteve të shumta por edhe fatin që vendimet e mjekëve asnjëherë nuk vihen në dyshim.

Tani për fat te keq, në partitë politike mbizotëron bindja se me çdo kusht duhet të fitohen zgjedhjet dhe në këtë rast, duke u nisur nga fakti se mjekët janë ata që janë më të popullarizuarit pasi kanë shumë kontakte, gjegjësisht pacientët janë të varur prej tyre dhe vështirë se janë të eksponuar negativisht ndaj tyre, pra prej këtu buron logjika ose jo logjika që të zgjidhen mjekët si më favoritë me të cilët synohet të fitohet besimi i qytetarëve.

Mjekët në Maqedoninë e Veriut merren me politikë ose largohen nga vendi!

Nga 36 mjekë që ka fshati Çegran i Gostivarit, 34 merren me politikë ndërsa dy të tjerët kanë ikur në Gjermani. Ky është vetëm një shembull që tregon për gjendjen fatale të shëndetësisë në vend dhe gjendjen e mjekëve që nuk po munden asesi të realizojnë atë për të cilën kanë dhënë mund, të ndihmojnë pacientët. Kjo është e pakuptimtë dhe fut shtetin në krizë të thellë shëndetësore, për këtë dëshmitar më i mirë është pandemia e virusit korona, ku kapacitetet mjekësore ishin aq të pakta saqë secili spital kishte mungesë të mjekëve dhe specialistëve përkatës. Kjo për faktin se një pjesë e tyre merren me politikë ndërkaq pjesa tjetër kanë ikur jashtë vendit.

Nga ana tjetër sistemi shëndetësor në vend nuk arrin të krijojë kushte pune për mjekët dhe ata ikin, prandaj me automatizëm besimi i qytetarëve krahas në gjyqësor e arsim bie dhe ulet shumë edhe në shëndetësi, dhe kjo prodhon e rritë ditë e më shumë eksodin masiv të të rinjve.

Çfarë do të thotë një mjek të merret me politikë?

Ky është një guxim shumë i madh për mjekët, pasi me futjen e tyre në politikë, pos që po lënë një profesion për të cilin kanë studiuar për një kohë të gjatë, por që në të njëjtën kohë po hynë në ujërat e politikës vendore dhe ndërkombëtare, që është një profesion për të cilin ata nuk kanë as njohuritë elementare, pasi një mjek i mirë nuk nënkupton të jetë edhe një politikan të mirë, pasi ata dallojnë shumë nga njëri-tjetri.

Në SHBA, braktisja e thirrjes mjekësore dhe marrja me politikë konsiderohet si diçka negative, si humbje e madhe e respektit publik, e besimit kolektiv dhe humbje e respektit që kanë pacientët dhe të afërmit e tyre ndaj mjekëve. Të dhënat nga anketa vjetore të kryera nga “Agjencia Gallup” tregojnë se mjekët gëzojnë më shtatë herë më tepër besim publik se sa politikanët dhe anëtarët e Kongresit Amerikan. Pikërisht për shkak të kësaj humbjeje, për mjekët që zgjedhin mjekësinë si profesion, ikja e tyre në politikë, veçanërisht në Amerikë, në mënyrë metaforike paraqet një lloj vetëvrasje morale.

Politikan i keq mund të bëhet çdokush, por mjek i mirë nuk mundet çdokush. Njerëzit kanë krejtësisht perceptim dhe mendim tjetër për mjekët, nga ata presin t’i shërojnë kur janë të sëmurë për çka edhe i paguajnë shërbimet e tyre. Në brendësinë e tyre ndjehen të zhgënjyer kur mjeku i tyre u paraqitet si politikan me premtime se do tua zgjedh problemet me kanalizimin, me ujin, me ndërtimin e shkollave, rrugëve, me punësimin, problemet ekonomike etj. Në betimin e Hipokratit shkruan se mjekët mbi të gjitha duhet ti përmbahen obligimit: “Shëndeti i pacientit tim do të jetë brenga ime më e madhe”. /Zhurnal.mk

Related posts

Sekretariati për Punë dhe Politikë Sociale në BDI mbajti takimin e fillimvitit, u diskutuan planet për programin e 4 viteve të ardhshme

Gazetamax.mk

Nga mesnata shtrenjtohet benzina

Gazetamax.mk

Nga mesnata lirohen çmimet e karburanteve

Gazetamax.mk