Një tragjedi ka ndodhur në Filipine, ku dy avionë ushtarakë stërvitorë u përplasën në ajër gjatë një fluturimi stërvitor, duke shkaktuar vdekjen e katër pilotëve. Lajmi u konfirmua të shtunën nga Forcat Ajrore të vendit.
Aksidenti ndodhi pasditen e së premtes, në bazën ajrore Fernando, në qytetin Lipa, në provincën Batangas, në jug të kryeqytetit Manila.
Sipas të dhënave të bëra publike nga autoritetet ushtarake, në stërvitje po merrnin pjesë dy avionë me një motor dhe helikë, të tipit SF-260, të cilët u përplasën teksa fluturonin në lartësi të ulët.
Përplasja ndodhi rreth orës 15:51 me orën lokale, ndërsa të dy avionët u rrëzuan brenda perimetrit të instalimit ushtarak.
Të katër pilotët që ndodheshin në avionë humbën jetën. Pavarësisht përmasave të aksidentit, autoritetet konfirmuan se nuk pati persona të tjerë të lënduar apo viktima në tokë.
Zëdhënësi i Forcave Ajrore të Filipineve, koloneli Alvin Jay Capingian, konfirmoi incidentin dhe bëri të ditur se shërbimet e emergjencës u vunë menjëherë në lëvizje pas rrëzimit të avionëve.
“Të dy avionët u rrëzuan brenda perimetrit të bazës, pa u raportuar viktima të tjera”, thuhej në deklaratën e tij.
Autoritetet ushtarake konfirmuan vdekjen e katër pilotëve, por fillimisht nuk publikuan identitetet e tyre, duke kërkuar respektimin e privatësisë së familjeve në këtë moment të vështirë.
Në një deklaratë zyrtare, Forcat Ajrore të Filipineve shprehën dhimbjen për humbjen e katër pjesëtarëve të tyre, duke nderuar kontributin e tyre dhe duke garantuar se familjarëve do t’u ofrohet mbështetja e nevojshme.
Rrethanat e plota të përplasjes mbeten për t’u sqaruar nga autoritetet përkatëse.
