Mustafa Dauti: Bashkëpunim më i fortë me Doganën e Kosovës, më shumë koordinim dhe më pak pritje në kufi

Zëvendësdrejtori i Drejtorisë së Doganave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Mustafa Dauti, zhvilloi sot një takim konstruktiv bilateral me drejtorin e Doganës së Kosovës, Agron Lugalliu, dhe drejtues të tjerë të Doganës së Kosovës.

Takimi u zhvillua në kuadër të bashkëpunimit të vazhdueshëm dhe të rëndësishëm ndërmjet dy administratave doganore, me fokus në forcimin e koordinimit dhe lehtësimin e qarkullimit të mallrave dhe udhëtarëve ndërmjet dy vendeve.

Një nga çështjet kryesore të diskutuara ishte funksionimi i One Stop Shop në pikën kufitare Bllacë – Hani i Elezit, me synim përmirësimin e koordinimit ndërmjet institucioneve, shkëmbimin më të shpejtë të të dhënave dhe reduktimin e kohës së pritjes në kufi.

Gjatë takimit u diskutua edhe për digjitalizimin e proceseve doganore, përafrimin e mëtejshëm me standardet e Bashkimit Evropian, si dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit ndërkufitar.

Zëvendësdrejtori Dauti theksoi rëndësinë e rezultateve konkrete dhe të bashkëpunimit praktik ndërmjet dy administratave doganore.

“Bashkëpunimi i mirë matet me rezultate konkrete në terren. Më shumë koordinim, më pak pritje dhe kufij më të sigurt – ky duhet të jetë drejtimi ynë i përbashkët.”

Takimi konfirmoi gatishmërinë e të dyja palëve për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të ndërmarrë hapa konkretë në drejtim të një menaxhimi më efikas të kufirit, lehtësimit të tregtisë dhe rritjes së sigurisë ndërkufitare.

https://www.facebook.com/share/p/18itjgZFPb/