GazetaMax
Lajme

Ndikimi rus në Ballkanin Perëndimor i pashmangshëm, Parlamenti Evropian bën thirrje për mbrojtje!

Shkup, 20 janar – Ndikimi rus në rajonin e Ballkanit Perëndimor është një rrezik që cenon paqen dhe sigurinë në rajon. Mbase, në Maqedoninë e Veriut përpjekje të tilla janë vërejtur shpesh herë, vetëm brenda një viti ishin dëbuar 11 diplomatë rus nga Shkupi, të cilin ishin të dyshimtë në kryerjen e funksionit të tyre e pikërisht gjatë kohës kur Maqedonia e Veriut kishte formuar ekipet negociatore për zgjidhjen e kontestit me Bullgarinë. Propaganda ruse më e sofistikuar është ajo mediatike, ku se fundmi kanë qarkulluar lajme se vullnetarë nga Maqedonia e Veriut kanë shprehur interesim për pjesëmarrje në luftën Rusi – Ukrainë, për ta ndihmuar Rusinë, e këtë e kanë kundërshtuar nga Maqedonia e Veriut duke e cilësuar si të pa vërtetë. Nga ana tjetër Parlamenti Evropian bënë thirrje për mbrojtje të Ballkanit Perëndimor nga ndikimi rus, shkruan Zhurnal.

Propaganda ruse me luftëtar shtetas të Maqedonisë, Qeveria nuk ka të dhëna zyrtare

“Batalioni i Sudoplatovës është duke pritur vullnetarë nga Evropa”, ky ishte titulli i Agjencisë ruse shtetërore të lajmeve të cilët pretendojnë se mes këtyre vullnetarëve ka edhe maqedonas që janë të gatshëm t’i bashkëngjiten luftës kundër formacioneve të armatosura ukrainase. Por, në deklaratën e tij luftëtari i këtij batalioni, Andrej Rodianov, nuk e konfirmon një gjë të tillë.

“Ка potencial të madh, kam shumë përkrahës dhe njerëz që ndajnë të njëjtat mendime me ne në Evropë si në Serbi, Poloni dhe Maqedoni, dhe tani pyetja është nëse këta njerëz do të vijnë tek ne. Në të ardhmen, ndoshta do të ketë një zgjerim të madh”, ka thënë Rodianov.

Pre e kësaj propagande ruse kanë rënë edhe shumë portale vendase të cilat kohëve të fundit kanë publikuar lajme se shtetas të Maqedonisë së Veriut po i bashkëngjiten formacioneve ushtarake ruse. Një gjë të tillë e mohojnë nga Qeveria. Koordinatori Kombëtar për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Luftën kundër Terrorizmit, Zllatko Apostolloski, në bisedë telefonike për TV21 tha se:

“Si Koordinator Kombëtar deri tani nga informacionet e shkëmbyera me institucionet zyrtare nuk kemi marrë të dhëna se shtetas tanë marrin pjesë në qoftë në anë të Ukrainës apo asaj të Rusisë. Nga rajoni ka të dhëna për pjesëmarrës në luftën e Ukrainës por, nga Republika e Maqedonisë së Veriut nuk ka të dhëna zyrtare për pjesëmarrje në luftën në Ukrainë. Ne qëndrojmë në të dhënat zyrtare që kanë institucionet tona se nuk kemi shtetas tanë që kanë shkuar. Këto janë të dhënat tona se ne deri tani nuk kemi regjistruar, sepse po të kishim të dhëna një, dy apo 10 persona nuk kemi arsye pse t’i fshehim”.

Apostolloski shton se Agjencia Ruse e Lajmeve plason të dhëna të caktuara për pjesëmarrje të shtetasve tanë në luftë, por pa të dhëna konkrete. Me ndryshimet e Kodit Penal të vitit 2014 pjesëmarrja në ushtri të huaja dhe organizata terroriste, si dhe rekrutimi dhe trajnimi i personave për pjesëmarrje në ushtritë e huaja, paraqet vepër penale.

Shërbimi në ushtri armiqësore është rregulluar sipas Nenit 322, Kodi Penal:

(3) Shtetasi i Republikës së Maqedonisë së Veriut i cili në kundërshtim të ligjit merr pjesë në ose trajnohet nga ana e ushtrisë së huaj, policisë, formacioneve paraushtarake ose parapolicore, grupeve të organizuara ose si individ, jashtë territorit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, do të dënohet me burg prej të paktën 4 vjetëve. Sipas disa të dhënave të Qeverisë në RMV për veprën penale pjesëmarrje në ushtri të huaj, polici, formacione paraushtarake ose parapolicore janë dënuar gjithsej 40 persona prej të cilëve 16 janë duke e vuajtur dënimin me burg tani, ndërsa 24 prej tyre e kanë vuajtur dënimin.

Rusia shpërqendron vëmendjen përmes Ballkanit Perëndimor –

Ivana Stradner, hulumtuese në Fondacionin për Mbrojtje të Demokracisë – me seli në Uashington – beson se Ballkani i duhet Rusisë në kohë lufte për shpërqendrim të vëmendjes.

“Moska ka dëshiruar që të destabilizojë Ballkanin me vite, mirëpo jo sepse dëshiron që ta pushtojë atë. Tensionet janë të rëndësishme ashtu që Rusia të shpërqendrojë vëmendjen e Perëndimit nga ajo që është duke ndodhur në Ukrainë, sidomos tani”, ka thënë ajo në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Edhe Stronski beson se “interesi i Rusisë në Ballkan, nuk ka të bëjë me vetë Ballkanin, por me aftësinë për të pasur një derë të hapur në Evropë dhe Ballkani është një prej mënyrave më të lehta, apo të vetme për ta arritur këtë gjë”.

Parlamenti Evropian kërkon parandalim të ndikimit të Rusisë në Ballkan-

Në seancën plenare të Parlamentit Evropian në Strasburg, dje është votuar Rezoluta për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së Bashkimit Evropian. Kjo rezolutë fokusin kryesor do ta ketë forcimin e rolit të BE-së në botë dhe përgjigjen që duhet dhënë në rrethanat e reja ndërkombëtare, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Në disa pjesë të tekstit përmendet ndikimi negativ i Rusisë në rajonin e Ballkanit, me synim të destabilizimit të rajonit, dhe bëhet thirrje që të parandalohet ky ndikim. Në mënyrë të veçantë në tekst i bëhet thirrje Serbisë, e cila është vend kandidat për anëtarësim në BE, që të respektojë vlerat evropiane dhe të përshtatë politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian. Serbia vazhdon të jetë shteti i vetëm në rajon që nuk i ka mbështetur sanksionet ndaj Rusisë.

Gjithashtu, në këtë propozim kërkohet që sa më parë të hiqen vizat për qytetarët e Kosovës, si dhe përshëndetet nisja e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si dhe dhënia e statusit të vendit kandidat për Bosnjë e Hercegovinën.

Prandaj, edhe secili shtet i rajonit duhet të krijojë mekanizma të posaçme për mbrojtje ndaj ndikim rus, i cili shpesh herë është i formave të ndryshme. Më i shpeshti dhe më së shumti që përdoret është ndikimi përmes mediave, pastaj sigurisht edhe përmes ndikimit ekonomik dhe atij politik përmes zgjatimeve të tyre që i kanë pothuajse në secilin shtet. Në Maqedoninë e Veriut si parti politike e cila përkrah fuqishëm orientimin pro lindor dhe është kundër NATO-s dhe BE-së është e Majta e udhëhequr nga, Dimitar Apasiev, i cili hapur dhe publikisht mbështet interesat ruse, madje edhe në kohën kur Maqedonia e Veriut sanksioni Rusinë për invazionin rus, kryetari i kësaj partie u taku me ambasadorin rus në Shkup. /Zhurnal.mk

Related posts

Policia speciale në Ukrainë ka vrarë ish-shefin e Shërbimit Sekret

Gazetamax.mk

Trençevska: Punonjësit e kënaqur krijojnë historinë e suksesit të kompanive më të mira

Gazetamax.mk

Universiteti i Tetovës nënshkroi memorandum bashkëpunimi me Komisionin e letrave me vlerë

Gazetamax.mk