GazetaMax
Lajme

Në 8 muaj numri më i lartë i migrantëve të parregullt shënuar në 6 vjet

Shkup, 9 Shtator – Një raport i Agjensia e Rojes Kufitare dhe Bregdetare e BE-së, Frontex, publikuar të premten, pohon se në tetë muajt e parë të këtij viti, në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian është shënuar numri më i lartë i migrantëve të parregullt që nga viti 2016.

Sipas policisë evropiane të ruajtjes së kufijve rreth 188.200 migrantë janë evidentuar në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian me një rritje prej 75% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Ky është totali më i lartë i migrantëve të parregullt për periudhën janar-gusht të 2022 që nga viti 2016”, vlerësohet në raportin e Frontex-it.

Raporti vlerëson se rruga e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Shqipëria si një pikë e përkohshme qëndrimi e migrantëve të parregullt dhe Mesdheu Qendror mbeten më aktive për kalimet.

Vetëm në rrugën e Ballkanit Perëndimor u evidentuan nga janari në gusht të këtij viti 86.580 migrantë të parregullt me një rritje 190% krahasur me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjatë muajit gusht në rrugën Ballkanike u evidentuan 15 900 migrantë , 141% më shumë se viti i kaluar.

Numri i lartë i kalimeve të paligjshme kufitare mund t’i atribuohet përpjekjeve të përsëritura të kalimit nga migrantët tashmë të pranishëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, pohon raporti i Frontex.

Vetëm gjatë muajit gusht shtetet anëtare të Bashkimit Evroapin regjistruan rreth 32. 800 kalime të parregullta, 35% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit 2021.

Ndërkohë, sipas Frontex, shtetasit që ikin nga Ukraina dhe hyjnë në vendet e Bashkimit Evropian përmes pikave të kalimit kufitar nuk janë pjesë e shifrave të hyrjeve të paligjshme të zbuluara. Sipas të dhënave të fundit të Frontex, 8.8 milionë shtetas ukrainas kanë hyrë në Bashkimin Evropian nga Ukraina që nga fillimi i luftës.

Në të njëjtën kohë, pohon raporti i FRONTEX një numër i konsiderueshëm shtetasish ukrainas janë kthyer në vendin e tyre.

Për t`iu përgjigjur presionit të lartë migrator, Frontex thotë se ka më shumë se 2300 oficerë dhe staf të trupave në seksione të ndryshme të kufirit të jashtëm të Bashmit Evropian , si dhe në Shqipëri, Serbi, Mal të Zi dhe Moldavi. Raporti i Frontex pohon se numri i migrantëve të parregullt që kërkonin të kalonin Kanalin drejt Mbretërisë së Bashkuar në tetë maujt e këtij viti me varka të vogla mbeti i lartë me afërsisht 41 067 persona me një rritje prej 80% krahasur me të njëjtën periudhë të vitit 2021.

Vetëm në Gusht u evidentuan mbi 13500 persona , që përfaqësojnë sipas FRONTEX numrin më të lartë të evidentimeve mujore të raportuara ndonjëherë në Kanal që nga fillimi i flukseve migratore në 2019. Shtetasit nga Afganistani, Iraku dhe nga Shqipëria ishin në pjesën më të madhe të migranëtve të evidentuar vlerëson Raporti i Frontex.

Numri i lartë i kalimeve detare në gusht është i lidhur me kushtet e mira të motit dhe ndikimin e mundshëm të planit të ri të migracionit në Mbretërinë e Bashkuar thuhet në Raportin e Frontex.

Prujet e migrantëve të parregullt në rritje edhe në Shqipëri. Policia kufitare e Sarandës tha të premten se bllokoi në një kamioncinë në zonën kufitare afër kufirit me Greqinë 30 migrantë të huaj të parregullt që po transportoheshin drejt kufijve veriorë me destinacion Malin e Zi.

Migrantët u zbuluan gjatë natës në mjetin e mbuluar që ishte i mbingarkuar dhe e bënte udhëtimin të rrezikshëm për jetën e migranëtve thanë burimet policore kufitare. Policia e Sarandës tha se arrestoi dy kontrabandistë, një nga Mirdita dhe një tjetër nga Shkodra që akuzohen si organizatorë të udhëtimit të migranëtve kundrejt përfitimeve financiare. Vetëm në brezin kufitar të Shqipërisë me Greqinë në Qarkun e Gjirokastrës dhe Sarandës janë evidentuar këët vit mbi 2.000 migrantë të parregullt .

Policia kufitare shqiptare ka zbuluar javët e fundit krahas kontrabandistëve shqiptarë edhe të huaj kryesisht nga Pakistani dhe Bangladeshi të përfshirë në organizimin e udhëtimit të migrantëve të parregullt që hyjnë në Shqipëri dhe synojnë të depërtojnë më tej drejt vendeve fqinje si Mali i Zi apo Italia.

Prurjet më të mëdha të migrantëve të huaj të parregullt nga Greqia shënohen në zonë julindore të Korcës për shkak të afërsisë me Selanikun ku arrijnë të depërtojnë më së shumti grupet e migrantëve që hyjnë në Greqi nga kufiri turk.

Related posts

Sulm terrorist nga Rusia pranë kufirit të NATO-s, mbylleni qiellin

Gazetamax.mk

Gjykata hedh poshtë aktakuzën ndaj ish-kryeministrit Haradinaj dhe të tjerëve për shkak të parashkrimit

Gazetamax.mk

Korrupsioni po përzë çdo ditë e më shumë të rinjtë

Gazetamax.mk