GazetaMax
LAJME

Në Oradur të Francës, 643 të masakruar nga nazistët

Me urdhër të Sharl De Golit i tërë fshati u shndërrua në Muze

Para 5 vjetësh (2018), im bir. Arbri, pedagog në Universitetin e Limozhit, ne, dy prindërit e tij, na çoi të vizitonim një fshat – muze, si dëshmi e një krimi të përbindshëm, kryer nga nazistët gjermanë kundër një populli të pambrojtur. “Është një lloj Peze martire, – na tha djali, – por kjo në përmasa shumë më të mëdha”.

Më 10 qershor të vitit 1944 fshati Oradour-sur-Glane në krahinën e Limozhit të Francës së pushtuar nga nazistët u shndërrua plotësisht në gërmadhë, kur 643 civilë, përfshirë burra, gra e fëmijë u masakruan nga një kompani gjermane si ndëshkim kolektiv për veprimtarinë e rezistencës antinaziste të banorëve të kësaj zone. Gjermanët vranë gjithë njerëzit që gjetën në fshat në atë kohë, si dhe njerëzit e sjellë nga zona përreth. Vranë të gjithë nxënësit dhe mësuesit që gjetën brenda shkollës. Burrat i lyen me benzinë dhe i dogjën! Gratë dhe fëmijët i futën në një kishë (të cilën e vizituam) dhe i vunë zjarrin; ata që u përpoqën të arratiseshin nga dritaret i qëlluan dhe i vranë me mitraloz. Në total, 643 persona janë vrarë. Vetëm gjashtë persona i shpëtuan masakrës. I mbijetuari i fundit i gjallë, ishte Robert Hébras, i njohur për aktivizimin e tij për pajtimin midis Francës, Gjermanisë e Austrisë, i cili vdiq më 11 shkurt 2023, në moshën 97-vjeçare. Ai ishte 18 vjeç në kohën e masakrës.

Fshati nuk u rindërtua asnjëherë. Një fshat krejtësisht i ri u ndërtua aty pranë, pas luftës, të cilin e vizituam.

Presidenti francez, Sharl De Gol urdhëroi, që rrënojat e këtij fshati të vjetër të mbaheshin si një memorial dhe muze i përhershëm.

Lëvizëm në këtë gërmadhë – fshat dhe shikonim shenjat e një jete të perënduar; shinat e dekovilit, linjat e tensionit, gërmadhat e shkollës, si dhe ato të lokaleve ushqimore e të artizanatit, fragmente muresh, ndonjë skeletë makine të prishur… .Mbahej e ruhej “kufoma” e një fshati të tërë. Një hata e vërtetë! Të mbahej fryma!

Lavdi martirëve kudo në botë!
Lavdi Dëshmorëve tanë të Atdheut!

https://www.facebook.com/photo/?fbid=2270790619783828&set=a.280273198835590

Related posts

Rusia vazhdon të jetë aktive në Ballkanin Perëndimor përmes lajmeve të rrejshme

e-max

Pas Mijallkoskit, i ulet dënimi edhe Vlladimir Taleskit

e-max

Qyteti i Shkupit: Këshilltarët e VMRO veprojnë në dëm të qytetarëve

e-max