Nesër do t’i jepet lamtumira e fundit 27-vjeçarit nga Radusha, Muhamed Mejdi, i cili u vra me armë zjarri më 7 shtator në Berlin të Gjermanisë.
I riu nga Radusha u qëllua disa herë në zonën Neukölln të Berlinit, në kryqëzimin e rrugëve Planetenstraße dhe Sonnenallee. Pas ngjarjes, autorët e dyshuar u larguan nga vendi i ngjarjes dhe, sipas informacioneve të deritanishme, ende nuk janë identifikuar.
Lajmi për vrasjen e 27-vjeçarit ka tronditur familjen, miqtë dhe banorët e Radushës, të cilët nesër pritet të mblidhen për t’i dhënë lamtumirën e fundit të riut.
Nga faqja e fshatit Radushë është bërë e ditur se varrimi i Muhamed Mejdit, djalit të Avdil Mejdit, do të zhvillohet nesër në fshatin Radushë, pas namazit të Ikindisë.
“Të nderuar bashkëfshatarë, edhe një herë ju informojmë me pikëllim të thellë dhe dhimbje të madhe se ka ndërruar jetë Muhamed Mejdi (27), djali i Avdil Mejdit (Baci).
Radusha është e tronditur dhe në mërzi të madhe. Lusim Allahun Fuqiplotë që Muhamedin ta falë, ta mëshirojë dhe ta kaplojë me rahmetin e Tij të pafundëm.
Familjarëve, Allahu u dhashtë sabër për ta tejkaluar këtë sprovë!
Varimi do të bëhet nesër me namazin e Ikindisë në f. Radushë”, thuhet në njoftimin e faqes së fshatit Radushë.
Ndërkohë, rasti i vrasjes në Berlin mbetet nën hetim, ndërsa autoritetet gjermane vazhdojnë punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e personave përgjegjës.
