Kandidati për kryetar të Komunës së Gostivarit, Nevzat Bejta, ka akuzuar udhëheqjen aktuale komunale për keqpërdorime të rënda financiare dhe rritje alarmante të borxheve, duke paralajmëruar se pas 11 janarit do të ketë përgjegjësi ligjore për të gjithë ata që kanë shkelur ligjin.
Sipas Bejtës, kundërkandidati i tij po shmang debatet politike, por nuk mund ta fshehë, siç tha ai, të vërtetën që mbështetet në fakte konkrete. Ai theksoi se mbi gjysmë milioni euro janë shpenzuar për kontrata pune në Komunën e Gostivarit për aktivistë partiakë, të cilët kanë marrë paga pa shkuar asnjë ditë në punë.
Bejta deklaroi se borxhi total i Komunës së Gostivarit ka arritur në rreth 30 milionë euro, ndërkohë që, sipas tij, nuk është realizuar asnjë projekt konkret në interes të qytetarëve. Ai shtoi se edhe Ndërmarrja Publike “Komunalec” është në gjendje të rëndë financiare, me borxhe që arrijnë në 15 milionë euro.
Një tjetër shqetësim serioz, sipas Bejtës, është fakti që punëtorët e mirëmbajtjes së higjienës së qytetit ende nuk kanë sigurim shëndetësor, pavarësisht kushteve të vështira në të cilat punojnë.
“Po vjen dita e çlirimit të qytetit. Më 11 janar Gostivarit do t’i kthehet krenaria dhe transparenca e munguar prej vitesh”, përfundoi Bejta, duke premtuar qeverisje të përgjegjshme, transparente dhe në shërbim të qytetarëve.
https://www.facebook.com/share/p/1G4B37W8C3/

