Nga Azerbajxhani në Shkodër, kapet 21-vjeçari duke transportuar 6 emigrantë drejt kufirit

Një 21-vjeçar nga Azerbajxhani është arrestuar në Shkodër, pasi u kap duke transportuar me automjet 6 emigrantë të huaj, të cilët dyshohet se synonin të kalonin ilegalisht kufirin drejt Malit të Zi.

Policia ka njoftuar se 21-vjeçari u kap në rrugën automobilistike në Vukpalaj.

Njoftimi i policisë:

DVKM Shkodër/ Finalizohet operacioni i koduar “Transit 5”. Goditet një tjetër rast i dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit.

Arrestohet në flagrancë një 21-vjeçar nga Azerbajxhani, pasi u kap duke transportuar me automjet 6 shtetas nga vendet e treta, që synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme në Malin e Zi.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të kontrolleve për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit, organizuan dhe finalizuan operacionin e koduar “Transit 5”.

Si rezultat i operacionit, shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare dhe Migracionit Bajzë arrestuan në flagrancë shtetasin F. B., 21 vjeç, banues në Zagatala, Azerbajxhan.

Ky shtetas u kap në rrugën automobilistike në Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, duke transportuar me automjetin tip “Hyundai” 6 shtetas nga vendet e treta, të cilët dyshohet se synonin të kalonin në mënyrë të paligjshme kufirin shtetëror me Malin e Zi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.