Një burrë 41-vjeçar është akuzuar për vrasjen brutale të bashkëshortes së tij, Kristina Joksimoviç, finaliste e konkursit të bukurisë “Miss Zvicër”, për të cilën dyshohet se fillimisht e mbyti, pastaj e copëtoi trupin e saj, i hoqi mitrën dhe pjesët e trupit i përpunoi në një blender industrial. Trupi i saj i dëmtuar u gjet në shtëpinë e tyre në Binningen, afër Bazelit, më 13 shkurt të vitit të kaluar, ndërsa fqinjët raportuan se në shtëpi jetonin edhe dy fëmijët e tyre të vegjël, shkruan “Daily Mail”.
Prokuroria kantonale e Bazel-Landschaft mbylli hetimet penale, por data e gjyqit ende nuk është caktuar. Sipas dokumenteve gjyqësore që mediat i morën në shtator të vitit të kaluar, Joksimoviç u vra nga bashkëshorti i saj dhe u copëtua me sharrë, thikë dhe gërshërë kopshtarie. Autopsia përcaktoi se shkaku i vdekjes ishte mbytja, dhe në qafën e saj u gjet një “gjurmë e kuqërremtë nga mbytja”.
Trupi gjithashtu tregonte shenja të traumës para vdekjes, duke përfshirë prerje në fytyrë dhe shumë mavijosje. Ekzaminimi i detajuar i kokës zbuloi gjithashtu plagë që tregojnë se një pjesë e flokëve të saj ishte tërhequr. Raporti i autopsisë zbuloi gjithashtu se Thomas i kishte hequr mitrën. Dyshohet se më pas vendosi disa nga pjesët e trupit në një blender industrial të fuqishëm, ndërsa përpiqej të trette të tjera në një solucion kimik. Hetuesit zbuluan se ai kishte parë video në YouTube në telefonin e tij ndërsa copëtonte trupin.
Fillimisht Thomas pretendoi se “e kishte gjetur gruan e tij të vdekur” pranë shkallëve, por më pas ndryshoi rrëfimin, duke thënë se e kishte mbytur në vetëmbrojtje pasi ajo “papritmas e kishte sulmuar me thikë”. Ai përshkroi se kishin pasur një bisedë “pozitive” para sulmit.
Megjithatë, gjykata hodhi poshtë pretendimet e tij, duke thënë se raporti i autopsisë është në kundërshtim të qartë me rrëfimin për vetëmbrojtje. “Qasja e tij e planifikuar dhe sistematike gjatë disa orëve në copëtimin dhe përpjekjen për të hequr trupin duke përdorur mjete të specializuara dhe kimikate, si dhe në shkatërrimin dhe manipulimin e provave, është në kundërshtim me pretendimin për reagim panik,” tha prokuroria.
“Shenjat e dëmtimit të qëllimshëm ose degradimit ritual të trupit gjithashtu sugjerojnë se Thomas mund të ketë pasur çrregullim mendor,” thuhet në dokumentet gjyqësore. Ekspertët mjekësorë përfunduan se qëllimi i veprimeve të tij ishte të “pastrohej” nga trupi.
Një burim i afërt me Kristina Joksimoviç vitin e kaluar zbuloi se motivi i mundshëm për vrasjen mund të kishte qenë plani i saj për ta lënë bashkëshortin. “Ajo donte të divorcohej, por kishte frikë prej tij,” tha burimi për portalin 20 Minuten.
Partneri i një prej shoqeve të saj deklaroi për Blick se marrëdhënia ishte “në krizë për muaj me radhë”, duke shtuar se policia kishte ndërhyrë më parë në shtëpinë e tyre për shkak të raportimeve për dhunë fizike. Krimi ndodhi vetëm disa javë pasi Kristina kishte postuar fotografi në rrjetet sociale nga një “arratisje romantike” pranë liqenit të Lucernës.
Kristina ishte mbretëreshë e bukurisë me origjinë serbe, e lindur në Binningen. Ajo fitoi titullin Miss Veri-perëndim Zvicër dhe ishte finaliste e Miss Zvicrës në vitin 2008.

