Si pasojë e ngricave nëpër trotuare, brenda 24 orëve, 30 pacientë kanë përfunduar me fraktura dhe lëndime të tjera trupore në Tetovë. Këto lëndime qytetarët i kanë marrë duke lëvizur në trotuare me ngrica nga reshjet e borës dhe kanë kërkuar ndihmë në Repartin e Ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës. Nga ky repart thonë se kryesisht ndihmë kanë kërkuar personat e moshuar, por nuk mungojnë edhe pacientë të moshave tjera.
“Këtyre ditëve me rënien e borës fluksi i pacientëve është rritur, veçanërisht i atyre që janë në moshë dhe fëmijët por nuk përjashtohen rastet kur ndihmë kërkojnë edhe të rinjtë. Është neglizhencë e institucioneve që duhet të bëjnë pastrimin ka bërë që të rritet numri i këtyre pacientëve. Kjo ndodh për shkak të mospastrimit të trotuareve, mos pastrimit të borës para shtëpive private dhe një rënie e vogël përfundon me lëndim ose thyerje të nyjave. Lëndimet më të rëndomta janë të nyjave të dorës dhe nyjave të këmbës. Më keq është situata tek të moshuarit, sepse një rënie e vogël ka pasoja më të mëdha. Eshtrat tek këta persona janë shumë të dobët dhe shpejt thyhen”, thotë Muhamed Neziri, ortoped.
Në këtë periudhë fluksi i qytetarëve që kërkojnë ndihmë në këtë repart rritet për 20 për qind. Ndihmë kërkojnë edhe qytetarët të cilët kanë probleme shëndetësore të nyjave për shkak të temperaturave të ulëta. “Brenda ditës në repartin tonë, numri i pacientëve me lëndime është 20 dhe më tepër, shkon deri në 30 nëse e marrim edhe ndërrimin e pasdites. Pra, edhe në repartin e urgjencës edhe në repartin e ortopedisë kemi 30 pacientë që kanë kërkuar ndihmë, pa marrë parasysh edhe pacientët që kanë dhimbje në nyje sepse këto ndryshime klimatike e rrisin numrin e pacientëve që kanë dhimbje, sidomos ata që kanë sëmundje reumatike”, thotë mjeku Muhamed Neziri.
Një pjesë e pacientëve që kanë marrë thyerje të eshtrave janë trajtuar në Repartin e Ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës, ndërsa rastet më të komplikuara janë drejtuar për në spitalet e Shkupit. Sipas mjekëve, trajtimi i këtyre pacientëve bëhet me metoda klasike dhe për momentin ky repart është funksionale edhe salla e operacioneve. Gjatë ditës së enjte, gjendja nëpër trotuare është përmirësuar dukshëm, krahasuar me një natë më parë, por autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe shmangie të daljeve pa nevojë. Nga Ndërmarrja Komunale Publike e Tetovës thonë se në mënyre aktive po punojnë në për pastrimin e borës nga trotuaret dhe zonat publike me qëllim sigurimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve.
